Lidhje

Ali Ahmeti: Besojmë që brenda mandatit të zgjidhen çështjet e papërfunduara për shqiptarët


Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, partia juaj përfaqësohet nga pesë ministra, dhe një zëvendës kryeministër në qeverinë e z.Gruevski; si e vetmja parti shqiptare që bën pjesë në këtë koalicion, cilat do të jenë disa nga objektivat që do të ketë partia juaj në këtë funksion?

Ali Ahmeti: Ne kemi dalë shumë hapur përpara elektoratit shqiptar, me një program mjaft të begatë, qoftë në aspektin kombëtar, qoftë në aspektin e zhvillimit ekonomik, dhe mendojmë që për këto çështje që ne i kemi paraqitur përpara shqiptarëve të Maqedonisë, kemi kapacitet njerëzor, dije, ekspertë të fushave të ndryshme, që t’iu dalim për zot këtyre cështjeve. Ne aktualisht do të drejtojmë 5 ministri në qeverinë e Maqedonisë, kemi një zëvendës kryeministër në kabinetin Gruevski , tre zëvendësministra, sekretarë shteti, si dhe disa drejtori mjaft të rëndësishme në Republikën e Maqedonisë. Besojmë që brenda këtij mandati, do të zgjidhen çështje që akoma nuk kanë përfunduar, akoma nuk kanë gjetur zgjidhje, siç është gjuha shqipe, që duhet të jetë një zgjidhje e pranueshme për shqiptarët e Maqedonisë, konform kushtetutës së Maqedonisë dhe Marrëveshjes së Ohrit; gjithashtu, edhe zgjidhja e statusit të njerëzve të dëmtuar nga lufta e vitit 2001, duke u bazuar në ligjet e vendit; si dhe shumë çështje që lidhen me ekonominë e vendit si dhe me infrastrukturën, për të cilat ne do të japim një kontribut aktiv, dhe do të jemi pjesë e zgjidhjes së problemeve të shumta, me të cilat ballafaqohen qytetarët e Maqedonisë. Gjithashtu, kemi rënë dakort për të ndjekur një politikë të përbashkët, përsa i takon politikës së jashtëme të vendit, duke dhënë kontributin tonë konstruktiv dhe për zgjidhjen e kontestit në mes të Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe sa më parë të krijojmë kushte të pranueshme për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Zëri i Amerikës:A do të vendosen afate kohore, për zgjidhjen e çështjeve që nuk janë zgjidhur ende?

Ali Ahmeti:Të dy palët kemi qenë të interesuar që të kemi marrëveshje dhe afate për problemet e lartpërmendura. Unë kam qenë i interesuar, që pa kontratë të mos bëhet ky koalicion, që mos të lindin probleme dhe konfrontime të panevojshme, por të ketë marrëveshje në mes të palëve, dhe afate kohore. Sigurisht, këto që theksova unë, përsa i takon përdorimit të gjuhës shqipe apo ligjit për gjuhën shqipe, kam lënë një afat kohor, mund të ndodhë para zgjedhjeve lokale, por mund të ndodhë dhe mbas zgjedhjeve lokale që në parlamentin e Maqedonisë, të paraqitet në legjislativ ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe zgjidhja e statusit legal të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që mund të fillojë brenda një periudhe të shkurtër, me krijimin e kushteve ,dhe me fillimin e funksionimit të ekzekutivit të Republikës së Maqedonisë.

Zëri i Amerikës:Zgjedhjet parlamentare të 1 qershorit lanë një shije të hidhur në komunitetin ndërkombëtar, për shkak të incidenteve të dhunës mes partive rivale shqiptare. Cilat janë mësimet që duhen nxjerrë sipas jush?

Ali Ahmeti:Në vazhdimësi, ne jemi përpjekur si Partia e Bashkimit Demokratik për Integrim, që mos t’i përçajmë shqiptarët, të mos fusim grindje mes tyre, dhe këtë akt fisnik ne do ta përcjellim më tej. Ne nuk duam grindje, ne nuk duam përplasje, ne nuk duam gjëra të shëmtuara që të ndodhin brenda hapësirës ku jetojnë shqiptarët, por për fat të keq, këto gjëra kanë ndodhur pa dëshirën tonë, pa vullnetin tone;por ne asnjëherë nuk i kemi hedhur benzinë zjarrit, gjithmonë kemi dashur që të bëjmë debate, që të paraqesim mendime dhe të kundërta, por pa u konfrontuar, dhe pa patur pasoja deri në lëndime fizike, apo t’u shkaktojmë dhimbje të ndryshme familjeve…për këtë, ne kemi dhënë prova të pahomueshme, qoftë këto katër vite që kemi qenë në pushtet në Maqedoni, por kemi dhënë prova dhe gjatë 18 muajve që ne kemi qenë në opozitë. Vetëm duke u konfrontuar me ide, duke u konfrontuar me mendime, ne mund të ecim përpara, mund të çojmë përpara procese. Për të gjitha këto që unë them, iu garantoj të gjithë shqiptarëve, që ne do të përpiqemi edhe më tej, të bëjmë një punë konstruktive, të afrojmë njerëzit, dhe kurrkush nuk do të na ketë partnerë në përçarjen e shqiptarëve, sepse duke u grindur shqiptarët, vërtetë mund të kenë pengesa të mëdha për të çuar përpara procese madhore në Maqedoni; dhe përpara këtyre proceseve kemi përgjegjësi të gjithë si parti politike, por edhe si shqiptarë. Uroj që akte të tilla të turpshme dhe të dhunshme siç ndodhën në 1 qershor, mos t’u ndodhin shqiptarëve, por të gjithë të kontribuojmë për të mirën tonë, të gjithë të kontribuojmë që të ulen gjakrat, të ulen tensionet dhe të kapemi mbas punëve të mira, mbas punëve të mbara.

Zëri i Amerikës:Maqedonia është një nga vendet fqinje që nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës. Çfarë mund të bëni ju, që të arrihet njohja e Kosovës nga Maqedonia?

Ali Ahmeti:Njohja e pavarësisë së Kosovës, është një proces i pashmangashëm, sepse parimisht Maqedonia ka bërë deklarata mjaft konstruktive, qoftë para zgjedhjeve parlamentare, qoftë para shpalljes së pavarësisë, apo dhe mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që do të jetë në të njëjtën linjë me SHBA, dhe me komunitetin ndërkombëtar. Tani kjo ngjarje e madhe historike ka ndodhur, pavarësia e Kosovës është shpallur, ajo është njohur nga SHBA, nga shumë shtete me influencë të Bashkimit Europian, nga shumë shtete të tjera të kontinentit, dhe në këtë linjë do të jetë dhe Republika e Maqedonisë, për njohjen e pavarësisë së Kosovës, por janë disa çështje që për mua nuk janë dhe aq të rëndësishme, siç janë disa konteste sa u takon vijave të demarkacionit, konkretisht në veri të vendit. Gjatë bisedimeve që unë kam patur me autoritet në Maqedoni, nuk kam parë ndonjë rezervë në drejtim të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, por janë paraqitur disa dilema rreth çështjeve teknike, që unë mendoj që në të kaluarën ndoshta janë politizuar, në mënyrë të panevojshme, pasi mund të gjendet zgjidhje shumë e shpejtë, e pasi të mbyllen këto çështje dhe këto dilema të vogla, mund të ndodhë dhe akti i njohjes së pavarësisë së Kosovës ; është çështje kohe se kur do të pregatitet një klimë më e mirë që të ndodhë ky akt.

Zëri i Amerikës:Zëti Ahmeti, ju faleminderit për intervistën.

XS
SM
MD
LG