Lidhje

SHBA do të dërgojnë një diplomat të lartë për bisedimet me Iranin


Një zyrtar amerikan tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një diplomat të rangut të lartë për të marrë pjesë në bisedimet me Iranin rreth programit bërthamor të Teheranit në një takim që do të mbahet të shtunën në Gjenevë.

Zyrtari tha se nënsekretari i shtetit Uilliam Bërns do të marrë pjesë në një takim me kryenegociatorin iranian për çështjet bërthamore, Said Xhalili dhe me shefin e politikës së jashtëme të Bashkimit Europian, Havier Solana.

Dërgimi i zyrtarit të lartë përbën një ndryshim në politikën e Shteteve të Bashkuara, të cilat më parë refuzonin të merrnin pjesë në bisedime me Teheranin për programin e tij bërthamor nëse Irani nuk ndalte pasurimin e uraniumit.

Zyrtari amerikan i cili foli me kusht që të mos i përmendej emri, theksoi se zoti Bërns nuk do të negociojë gjatë vizitës dhe nuk do të ketë takime të veçanta me iranianët.

Ai tha se zoti Bërns do të ritheksojë qendrimin e administratës se Irani duhet të pezullojë pasurimin e uraniumit para se Shtetet e Bashkuara të mund të hyjnë në negociata serioze me këtë vend. //ii

XS
SM
MD
LG