Lidhje

Ngritja e çmimeve të artikujve të konsumit shqetësim për inflacion


Çmimet e artikujve të përditshëm në Shtetet e Bashkuara u rritën ne 1.1% gjatë muajit qershor, rritja e dytë më e madhe në 26 vjet. Arsyeja kryesore për këtë është rritja e çmimeve të energjisë, të cilat u ngritën me 6%. Drejtori i Rezervave Federale, Ben Bernanke, gjatë ditës së dytë të dëshmisë së tij në Kongres, shprehu shqetësimet rreth inflacionit dhe ekonomisë në përgjithësi.

Rritja e çmimeve më shumë se ç'pritej, është duke pakësuar në mënyrë të ndjeshme fuqinë blerëse të konsumatorëve me një pagesë mesatare javore dhe të kompensuar për inflacionin, duke rënë në masën 0.9%. Rrija e çmimeve të energjisë është gjithashtu duke pakësuar shpenzimet për biznes dhe rritjen ekonomike.

Duke folur para Komisionit të Financave të Dhomës së Përfaqësuesve, Ben Bernanke tha se inflacioni është një kërcënim për shpresat për një rimëkëmbje ekonomike.

"Inflacioni nuk ka rënë, duke mbetur për më shumë se 5 muajt e parë të vitit në masën 3.5%, e përcaktuar kjo nga indeksi i çmimeve për sendet të konsumit personal. Duke parë që çmimet e karburantit dhe energjisë gjatë javëve të fundit kanë qenë në rritje, duket se brenda një kohe të shkurtër, inflacioni përkohësisht do të rritet".

Zoti Bernanke tha se konsumatorët dhe bizneset ka të ngjarë të tregohen të kujdesshëm në shpenzime.

Një raport i Departamentit të Tregëtisë tregon se muajin a kaluar amerikanët ulën shpenzimet për blerje makinash, mobiljesh dhe në restorante, ndërkohë që çmimi i benzinës u rrit. Analistët thanë se situata e tanishme ekonomike e vë Banikën Qendrore në një pozitë të vështirë, sepse ajo nuk do të ketë kurajo të luftojë inflacionin duke rritur interesat bankare në një kohë kur ekonomia amerikane ende është e dobët dhe tregjet financiare botërore janë nën presion.

I pyetur në senacën e djeshme dëgjimore nëse ekonomia amerikane ka mbetur në vend, zoti Bernanke u përgjegj se kjo do të përcaktohet më vonë nga ekonomistët. Por ai tha se nuk ka dyshim që shumë amerikanë në këto momente janë duke kaluar kohë të vështira.

Pavarësisht pas gjendjes së errët të paraqitur nga zoti Bernanke, aksionet në Shtetet e Bashkuara u rritën dje mbasdite. Indeksi i Dow Jones Industrial u rrit mesatarisht 2%, ndërkohë çmimi i naftës pësoi një rënie të lehtë dhe banka Wells Fargo njoftoi për rritje të fitimeve tremujore, duke lehtësuar shqetësimet rreth sektorit bankar.

XS
SM
MD
LG