Lidhje

Presidenti Bush bllokon hetimin e Kongresit për çështjen Pllejm


Duke shfrytëzuar privilegjin ekzekutiv, Presidenti Bush ka refuzuar të respektojë kërkesën e Kongresit për të dhënë dokumente që kanë të bëjnë me publikimin e identitetit të ish operatives së Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA-s, Valerie Wilson. Një komision i Dhomës së Përfaqësuesve, e shtyu votimin për ta vënë para përgjegjësisë ligjore për mosbashkëpunim Prokurorin e Përgjithshëm në lidhje me këtë çëshje.

Prokurori i Përgjithshëm, Michael Mukasey, shprehu qendrimin e Shtëpisë së Bardhë në një letër drejtuar Komisionit për Mbikqyrjen dhe Reformat Qeveritare, të kryesuar nga ligjvënësi demokrat, Henry Waxman.

Komisioni ka lëshuar flet-thirrjen për ta detyruar administratën e Presidentit Bush t'i japë Kongresit tekstin e një interviste të Byrosë Federale të Hetimeve, FBI-së, me Nënpresidentin Dick Cheney, si dhe dokumente të tjera.

Demokratët që përbëjnë shumicën në Kongres kanë vazhduar hetimet lidhur me këtë çështje, që ka të bëjë me zbulimin për median të identitetit si agjente e CIA-s të Valerie Plame Wilson, bashkëshortja e ish ambasadorit amerikan në Irak. Joseph Wilson ka qënë një nga kritikët kryesorë të justifikimeve që dha adminsitrata e Presidentit Bush për luftën në Irak. Lewis Libby, u dënua për mashtrime, pengim të drejtësisë dhe për deklarata të reme për hetuesit federalë në këtë çështje, ku ai dhe një zyrtar i Departamentit të Shtetit ishin implikuar në dekonspirimin e identitetit të zonjës Wilson.

Zoti Libby pranoi në një moment para hetuesve se kishte mundësi që Nënpresidenti Cheney kishte dhënë urdhër për zbulimin e identitetit të ish agjentes së fshehtë. Dënimi i zotit Libby me dy vjet e gjysmë burgim u anullua nga Presidenti Bush.

Ligjvënësi Waxman e quajti shfrytëzimin e privilegjit presidencial nga Shtëpia e Bardhë indinjues, dhe kur shtyu votimin mbi akuzën për mosbashkëpunimin ndaj zotit Mukasey, tha:

"Ndërkohë që Komisioni po shqyrton hapat e ardhëshëm, shpresoj që Presidenti dhe Nënpresidenti të konsiderojnë të tyret. Kongresi dhe populli amerikan gëzojnë të drejtën të dinë se cili ka qënë roli i Presidentit dhe Nënpresidentit në aktin indinjues të dekonspirimit të identitetit të zonjëa Wilson".

Anëtari republikan i Komisionit, Tom Davis, i shprehu kundërshtimin e tij Kryetarit Waxman ndërsa anëtarë të tjerë demokratë shprehën mendimet e tyre, dhe theksoi se republikanët kanë nevojë për më shumë kohë për të shqyrtuar letrën e Prokutorit të Përgjithshëm.

Ndërkaq, i indinjuar ligjvënësi demokrat nga shteti Ohio, Dennis Kucinich, i bëri thirrje Kryetarit Waxman të mbajë votimin për të lëshuar fletë-thirrjen për Prokurorin, duke theksuar se Shtëpia e Bardhë nuk po bën gjë tjetër veçse po mbron Nënpresidentin nga hetimet e mëtejshme.

Prokutori i Përgjithshëm, Mukasey, tha se ushtrimi i privilegjit ekzekutiv nuk është përpjekje për t'i fshehur informacionin Kongresit, por një përpjekje për të mbrojtur ndarjen e kompetencave dhe integritetin e hetmeve të Shtëpisë së Bardhë në të ardhmen nga Departamenti i Drejtësisë.

Kryetari i Komisionit për Mbikqyrjen dhe Reformat Qeveritare, ligjvënësi demokrat, Henry Waxman, e hodhi poshtë argumentn e zotit Mukasey se intervista e FBI-së me Nënpresidentin Cheney ka të bëjë me diskutimet ligjore brenda Shtëpisë së Bardhë. Veprimi i Shtëpisë së Bardhë, tha zoti Waxman, ka hedhur hijen e dyshimit mbi Nënpresidentin dhe ka lënë pa përgjigje pyetje të rëndësishme.

XS
SM
MD
LG