Lidhje

Delegacioni i Kosovës në Uashington, takime me Sekretaren Rajs dhe Sekretarin Gejts


Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi vazhdojnë vizitën në Uashington, ku zhvilluan të premten takime me zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Bush, përfshirë Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Robert Gejts dhe Sekretaren e Shtetit, Konodolisa Rajs. Të hënën, më 21 korrik, udhëheqësit e Kosovës do të takohen me Presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë.

Këtë javë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore njoftuan se e njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe do të fillojnë procesin për të shqyrtuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim. Kosova synon gjithashtu të bëhet edhe anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Pikërisht këto aspirata pritej gjerësisht të ishin në qendër të temave për t'u diskutuar në takimet e udhëheqësve të lartë të Kosovës këtu në Uashington.

Para takimit në Departamentin e Mbrojtjes, udhëheqësit e lartë të Kosovës u takuan në Departamentin e Shtetit me sekretaren amerikane të Shtetit Kondolisa Rajs. Sekretarja Rajs theksoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për ta ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt demokracisë.

"Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën ndërsa ajo vazhdon ndërtimin e një qeverie shumë etnike dhe institucioneve demokratike. Në se Kosova vazhdon të përqëndrohet në ndërtimin e demokracisë shumë-etnike, në mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe të lirisë fetare, në ngritjen e institucioneve që do të sigurojnë mirëqënie ekonomike, atëhere Kosova do të ketë një të ardhme të begatë. Dhe ato vende që nuk dëshironin të shikonin një Kosovë të pavarur, duke ta kuptojnë se Kosova është e pavarur dhe do të vazhdojë të jetë e tillë. Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë me çdo mënyrë."

Një prej këtyre vendeve është Serbia, e cila e ka thënë hapur se do të bëjë të gjitha përpjekjet për të penguar përparimin e Kosovës si shtet i pavarur, e mbështetur në qëndrimin e saj kundër Kosovës edhe nga aleatja e saj tradicionale, Rusia. Sekretarja Rajs përsëriti qëndrimin amerikan se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të kenë marrëdhënie të mira me Serbinë. Ajo tha se e ardhmja si e Kosovës edhe e Serbisë është në Evropë.

Zonja Rajs e quajti vizitën e dy udhëheqësve të Kosovës si një moment historik për Kosovën. Populli i Kosovës, tha ajo, ka një rrugë të gjatë për të bërë për të ndërtuar demokracinë shumë-etnike, por siç kanë treguar shenjat në këta muajt e parë, ata kanë vullnetin, përkushtimin, angazhimin dhe aftësinë për ta bërë këtë. Në këtë rrugë, tha sekretarja amerikane e Shtetit, ata kanë një mik të fuqishëm tek Shtetet e Bashkuara. E ardhmja e Kosovës, tha zonja Rajs, do të jetë e begatë. Ajo ka një popull të begatë, një udhëheqje të vendosur dhe miq të vendosur.

Në komentet që bëri në konferencën e përbashkët të shtypit, Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se ky është rast jashtëzakonisht i rëndësishëm për të shprehur falënderimet e popullit dhe të institucioneve të Kosovës për ndihmën dhe mbështetjen e veçantë që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës në rrugëne saj për liri, pavarësi dhe për ndërtimin e një shteti demokratik të të gjithë qytetarëve. Zoti Sejdiu shprehu zotimin se Kosova do ta vazhdojë këtë rrugë bashkëpunimi dhe thellimi të marrëdhënieve mes dy vendeve.

"Kosova do të jetë një vend i vlerave më të larta demokratike dhe atdhe i të gjithëve. Kosova do të jetë faktor i rëndësishëm i paqes dhe i qendrueshmërisë,"
tha Presidenti Sejdiu.

Në komentet e tij, Kryeministri Hashim Thaçi, tha se Kosova, shtet i pavarur sovran dhe demokratik është vend i paqes, i stabilitetit dhe me perspektivë zhvillimi.

"Kosova është në bashkëpunim të shkëlqyeshëm me të gjitha vendet e rajonit, me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi e në të ardhmen e afërt demokratike, besojmë edhe me Serbinë."

Zoti Thaçi tha se delegacioni i Kosovës u zotua për përparim por njeh edhe përgjegjësitë e reja që i dalin përpara. Kosova dhe populli i Kosovës, tha kryeministri Thaçi, përulen para qeverisë dhe popullit amerikan për mbështetjen e tyre.

Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi do të takohen me Presidentin Bush të hënën në Shtëpinë e Bardhë. Kjo do të jetë vizita e tyre e parë në Uashington, si udhëheqës të shtetit të pavarurur të Kosovës. Pritet që Presidenti Bush t'u shprehë dy udhëheqësve mbështetjen e tij të fortë ndaj përpjekjeve të qeverisë së Kosovës për krijimin e një shteti demokratik, të begatë dhe shumëetnik, institucionet e të cilit, t'u shërbejnë gjithë qytetarëve të Kosovës.

Në prak të këtij takimi. Grupi i të drejtave të njeriut Human Rights Watch, bëri një deklaratë në të cilën thotë se Presidenti amerikan duhet t'i shfrytëzojë këto bisedime për t'u bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës të marrin masa për përmirësimin e gjendjes së të drejave të njeriut.

Human Rights Watch tha se Kosova ka në sistem të dobët drejtësie që shpesh le pa ndëshkuar dhunën politike dhe etnike. Ky grup i referohet gjithashtu dhunës në vend, trafikimit të grave, diskriminimit kundër grupeve të vogla etnike dhe thotë se Kosova nuk ka hetuar si duhet për fatin e qindra serbëve të humbur pas luftës një dekadë më parë.(ze)

XS
SM
MD
LG