Lidhje

Olimpiket: Lojtarët shprehin shqetësime për ushqimet


Ceremonitë e hapjes për Lojrat Olimpike të Pekinit do të mbahen më 8 gusht dhe i pranishëm atje do të jetë edhe Presidenti Bush. Këtë javë, ai ftoi në Shtëpinë e Bardhë ekipin olimpik amerikan dhe shtroi një darkë zyrtare për nder të tij. Tani që lojrat po afrojnë, disa nga atletët amerikanë janë të shqetësuar për ushqimin që do të hanë në Kinë. Duket se kinezët i njohin këto shqetësime të atletëve të huaj dhe po përpiqen të marrin masa.


Për të përmirësuar cilësinë e ajrit, zyrtarët kinezë po kufizojnë trafikun e makinave në Pekin, sipas një skeme që i seleksionon makinat në bazë të numrit tek apo çift të targës. Kur zona olimpike e lundrimit me vela u përmbyt nga algat, zyrtarët thirrën në ndihmë ushtrinë për të pastruar ujin.

Tani, një tjetër problem. Disa nga pjestarët e ekipit olimpik amerikan po shprehin shqetësime për ushqimin.

"Jam shumë i shqetësuar për ndonjë ndotje të mishit ose diçka të këtij lloji,"- thotë Xhesi Smith, i ekipit të polos në ujë.

Antibiotikët dhe stimulantët e ndryshëm përdoren rëndom në ushqimet kineze dhe prodhimet ushqimore nuk janë të rregulluara si duhet me ligj. Notari Toni Azevedo thotë se nuk do të hajë nga ushqimi që do t’i serviret.

"Nëse ekziston mundësia që ne të testohemi pozitivë për shkak të ushqimit, atëhere unë nuk kam dëshirë të rrezikoj",- thotë ai.

Disa ekipe olimpike kanë në plan ta marrin ushqimin me vete.

Në të njëjtën kohë, kinezët kinezët po i vëzhgojnë rigorozisht prodhimet ushqimore nga të cilat do të hanë atletët.

Në fabrikën e mishit të derrit që prodhon për Olimpiket, derrat vëzhgohen që nga momenti kur largohen nga ferma. Menazheri Li Wen Xiang thotë se produktet kineze janë të sigurta.

Në këtë fermë në veri të Pekinit, rriten 65 ton fruta dhe zarzavate organike nën masa të rrepta sigurie. Menaxheri thotë se një sistem i kompjuterizuar garanton se produktet nuk do të përmbajnë antibiotikë nga ferma e deri kur t’u shkojnë atletëve në tryezë.//lk


XS
SM
MD
LG