Lidhje

Obama flet në Berlin, ndërsa Mekein përqendrohet në problemet ekonomike të SHBA


Kandidati demokrat për president, Barak Obama, mbajti dje një fjalim para disa dhjetra mijëra njerëzve në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, momenti më dramatik i turneut të tij në Lindjen e Mesme dhe Evropë. Ky turne i zotit Obama ka tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar dhe e ka lënë kundërshtarin e tij republikan, Senatorin Xhon Mekein, në kërkim të mënyrave për të transmetuar mesazhin e tij nëpër botë.

Fjalimi i Senatorit Obama kishte të gjitha elementet e një fjalimi presidencial, me përjashtim të faktit se Obama nuk është zyrtarisht kandidati i Partisë Demokrate për president deri muajin e ardhëshëm, kur të mbahet kuvendi i partisë.

Fjalimi i zotit Obama në Berlin u komentua si momenti kulmor i turneut të tij ndërkombëtar, gjatë të cilit ai shkoi në Afganistan, Irak, Jordani dhe Izrael, një lloj turneu njohës nëpër botë për njeriun që mund të jetë presidenti i ardhëshëm i Shteteve të Bashkuara.

"Ne kemi bërë gabimet tona dhe ka patur raste kur veprimet tona në botë nuk janëpërputhur me qëllimet tona më të mira. Por u gjithashtu e di se sa shumë e dua Amerikën".

Demokratët shpresojnë që ky turne i Senatorit Obama të shtojë besimin tek publiku, se ai është i aftë të trajtojë çështje të politikës së jashtme dhe të sigurimit kombëtar, aspekte në të cilat duket se publiku ka më shumë besim tek kundërshtari i tij republikan, Xhon Mekein.

Në një deklaratë të fushatës së Senatorit Mekein thuhet se Senatori Obama hodhi një hap të parakohëshëm në Berlin, duke e shpallur veten qytetar të botës. Në deklaratë thuhet gjithashtu se zoti Mekein do të vazhdojë fushatën në Shtetet e Bashkuara, duke i bërë të qartë popullit amerikan programin e tij, pasi është pikëtisht populli amerikan ai që do të vendosi rezultatin e zgjedhejeve.

Senatori Mekain u pyet për fjalimin e Senatorit Obama në një miting të fushatës në shtetin Ohajo.

"Unë do të doja të mbaja një fjalim në Gjermani, një fjalim politik apo një fjalim që do t'i interesonte popullit gjerman. Por do të preferoja më shumë që ta bëja këtë si president i Shteteve të Bashkuara".

Fjalimi në Berlin ishte gjithashtu një mundësi për Senatorin Obama që të shprehte pikmapjet e tij për botën dhe të bënte të ditur se çfarë politike të jashtme do të ndiqte ai në qofte se do të fitonte zgjedhjet e nëntorit për Shtëpinë e Bardhë.

"Popull i Berlinit dhe popull i botës, sfida që kemi përballë e madhe. Rruga që kemi përpara do të jetë e gjatë. Por jam këtu para jush për t'iu thënë se ne jemi trashëgimtarë të një lufte për liri. Ne jemi popuj me shpresa të mëdha, me vështrimin tek e ardhmja dhe me vendosmëri në zemër për të fituar. Të mos e harrojmë këtë histori dhe të realizojmë përgjegjësitë që na ka ngarkuar fati dhe ta ribëjmë përsëri botën".

Rivali rebulikan i zotit Obama, Senatori Xhon Mekein, bëri një ndalesë pa bujë në Ohajo, mesa duket duke menduar se do
të ishte e vështirë të konkuronte me imazhin e Obamës para një grupi të madh njerëzish në Berlin.

Fushata e Senatorit Mekein u përpoq të përqendrohej në çështjet e brendëshme dhe këshilltarja e tij Nancy Pfotenhauer (Pho'-ten-hower) tha në një konferencë shtypi se planet e zotit Mekein janë ulja e çmimeve të larta të karburantit, një nga shqetësimet kryesore të votuesve, siç tregojnë sondazhet e kohëve të fundit të opinionit..

"Ne duam të vëmë në dukje faktin se Senatori Mekein po e kalon kohën duke biseduar për zgjidhjen e problemeve reale që kanë amerikanët tani, dhe një nga më të mprehtit është çmimi i lartë i karburantit".

Republikaknët janë ankuar gjithashtu se mbulimi intensiv që i ka bërë media udhëtimit të zotit Obama nuk ka qënë i drejtë dhe ka lënë në hije përpjekjet e zotit Mekein për t'u përqendruar në problemet e ekonomisë amerikane.

Ndërkohë, rezultatet e anketave të fundit tregojnë se gara mes dy kandidatëve është e ngushtë, pavarësisht nga vemendja që ka tërhequr turneu i Senatorit Obama jashtë vendit.

Sipas në sondazhi të kanalit televiziv NBC dhe gazetës Wall Street Journal, Senatori Obama është në avantazh ndaj Senatorit Mekein në raportin 47 me 41 përqind. Por sipas sondazhit 55 përqind e pjesëmarrësve e shikojnë zotin Obama si një zgjedhje më të rrezikëshme dhe 35 përqind e shikojmë zotin Mekein si të tillë.

Anketat e kohëve të fundit në disa shtete me rëndësi, si Kolorado, Miçigan dhe Minesota tregojnë se Senatori Mekein është në avantazh ndaj Senatorit Obama. //iç//

XS
SM
MD
LG