Lidhje

Obama zhvillon bisedime me udhëheqësit britanikë në Londër


Kandidati demokrat për president Barak Obama, zhvilloi bisedime me udhëheqësit britanikë në Londër të shtunën, ndërsa i jep fund një turneu jashtë vendit gjatë të cilit vizitoi Afganistanin, Irakun dhe pjesë të tjera të Lindjes së Mesme dhe Europës.

Barak Obama u takua me kryeministrin britanik Gordon Braun për rreth dy orë dhe pastaj u takua me shtypin për të komentuar mbi bisedën që ai e quajti të jashtëzakonshme.

“Fokusi i kryeministrit britanik, ashtu si edhe imi, është se si mund t’i forcojmë marrëdhëniet trans-atlantike, të zgjidhim problemet që nuk mund të zgjidhen nga një vend i vetëm, ndryshimi i klimës, çështja e terrorizmit ndërkombëtar, dhe disa nga çështjet e lidhura me tregjet financiare.”

Ai falenderoi Britaninë për kontributin e dhënë në Afganistan.

“Unë e di se trupat britanike e kanë paguar shtrenjtë luftën në Irak dhe Afganistan dhe mendoj se populli amerikan ua di për nder.”

Kandidati për president është pranë përfundimit të vizitës së tij në Evropë, pjesë e një turneu botëror gjatë të cilit ai vizitoi Afganistanin, Irakun, Jordaninë, Izraelin, territorin palestinez, Gjermaninë, Francën dhe Britaninë.

Atmosfera e vakët që shoqëroi këtë vizitë dallonte shumë prej vizitës së tij në Berlin, ku Senatori nga Ilinoi mbajti një fjalim para mbi 200 mijë gjermanëve entuziastë.

“Popuj të botës, shikoni Berlinin, ku ra muri, një kontinent u bashkua dhe historia tregoi se nuk ka sfidë të papërballueshme kur bota punon së bashku.”

Karakteri i profilit të lartë të turneut botëror të zotit Obama ka bërë që disa analistë të vënë në pikëpyetje se sa e përshtatshme ishte pritja që iu bë kandidatit e cila ngjante me atë të një presidenti. Pas një pjesëmarrjeje të jashtëzakonshme në Berlin të enjten, senatori Obama ndenji pranë Nikola Sarkozisë në Paris për të dalë në fotografi që zakonisht u rezervohen krerëve të shteteve.

Sipas analistëve, atmosfera më pak e bujshme e vizitës në Londër është rezultat i dëshirës së qeverisë britanike për të mos u treguar më të favorshëm ndaj asnjërit prej kandidatëve amerikanë për president.

Në Londër, zoti Obama u pyet nëse turneu i tij jashtë vendit mund ta dëmtojë atë politikisht në vendin e tij ku njerëzit janë më të shqetësuar për problemet e brendshme. Ai tha se nuk do të habitej nëse anketat e opinionit do të tregonin një rënie gjatë kohës që ai ka qenë jashtë vendit. Megjithatë, ai tha se vizita ishte e rëndësishme.

“Jam i bindur se shumë prej problemeve që kemi në vendin tonë nuk do të zgjidhen aq me efikasitet nëse nuk kemi partnerë të fortë. Nëse nuk gjejmë një zgjidhje për Irakun dhe Afganistanin mendoj se do të jemi më të pasigurt, por do të jetë edhe humbje e madhe parash.”

Në ndalesën e tij të fundit, zoti Obama zhvilloi bisedime me dyer të mbyllura edhe me ish kryeministrin Toni Bler dhe do të takonte edhe Dejvid Kameron, udhëheqësin e Partisë Konservatore në opozitë. //bsa//

XS
SM
MD
LG