Lidhje

Irak: 50 të vrarë dhe gati 300 të plagosur


Autoritetet irakiane thane se autorë sulmesh vetëvrasëse goditën të hënën një pelegrinazh shiit në Bagdat dhe një manifestim në Kirkuk në Irakun verior, duke vrarë 50 veta e duke plagosur gati 300 të tjerë.

Policia tha se 3 femra hodhën veten në erë gjatë një pelegrinazhi në Bagdat, duke vrarë të paktën 28 veta, mes tyre edhe fëmijë, dhe duke plagosur 90 të tjerë.

Shpërthimet ndodhën të hënën brënda një kohe të shkurtër në lagjen Karada, ndërkohë që mijëra besimtarë shiitë po shkonin në tempullin Kadimija në pjesën veriore të kryeqytetit. Pelegrinazhi arrin kulmin nesër.

Ndërkaq në Irakun verior, autoritetet thanë se po të hënën në Kirkuk u vranë të paktën 22 veta, ndërsa po mernin pjesë në një demonstratë. Gati 200 persona të tjerë u plagosën nga ky shpërthim.

Të djelën, ushtria amerikane njoftoi se trupat irakiane dhe ato të koalicionit vranë 4 militantë të al-Kaidës dhe kapën 58 të tjerë gjatë luftimeve në veriperëndim të Irakut.

Ushtria tha se luftimet e së djelës në provincën Ninevah lanë të vrarë edhe 4 ushtarë irakianë.

6 trupa të tjera irakiane dhe një ushtar i koalicionit u plagosën. (ze)

XS
SM
MD
LG