Lidhje

Zyrtarët gjejnë dokumenta ushtarake në apartamentin e Karaxhiçit


Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Dacic, tha se zyrtarët gjetën kopje të dokumentave të qeverisë serbe të Bosnjes në apartamentin e Beogradit, ku banonte ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç, para se të arrestohet javën e kaluar.

Zoti Dacic tha se dokumentat përfshinin materiale rreth takimeve të personelit ushtarak serb të Bosnjes gjatë konfliktit në Bosnje-Hercegovinë në vitet 90-të. Ministri i brendshëm serb tha se zyrtarët ia dorëzuan këto dokumenta gjykatës së Serbisë për krimet e luftës.

Ndërkohë, zyrtarë të gjykatës thanë se nuk kanë marrë ende dokumentat përkatëse nga pala e Karaxhiçit për apelimin e vendimit për ekstradimin e tij në Hagë.

Avokati i Karaxhiçit tha se i çoi dokumentat në postë para mbylljes së saj të premten. Avokati konfirmoi se ai nuk donte që ekstradimi të bëhej para një manifestimi të planifikuar për nesër në Beograd.

Ndërkohë, nipi i ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjes tha se ai është i vetmi pjesëtar i familjes që ishte në dijeni të identitetit fals dhe vend-ndodhjes së xhaxhait të tij.

Dragan Karaxhiç i tha një gazete serbe se ai ndihmoi xhaxhanë e tij të merte me qira apartamentin dhe e ndihmoi atë në forma të tjera, ndërsa ai i shpëtonte drejtësisë.

Dragan Karaxhiç tha se ai nuk e konsideroi kurrë xhaxhanë e tij si një të arratisur, të kërkuar nga Gjykata e Hagës.

Nuk është ende e qartë në se Dragan Karaxhiç do të përballet me akuza për ndihmën që i dha xhaxhait të tij, Radovan Karaxhiçit.

Autoritetet serbe e arrestuan Radovan Karaxhiçin të hënën e kaluar në Beograd, ku ai banonte lirisht me emrin Dragan Dabiç dhe praktikonte mjeksi alternativë.

Zyrtarët thanë se ata e gjetën Karaxhiçin duke ndjekur njerëz që mendohej se e ndihmonin atë të fshihej. //kk//

XS
SM
MD
LG