Lidhje

Reklama kundër duhanit në DVD-të e filmave


Në bazë të një marrëveshjeje të re, që po përshëndetet si një arritje historike, 6 studio të mëdha kinematografike kanë rënë dakord të përfshijnë reklama kundër duhanit në DVD-të e disa filmave që tregojnë njerëz duke pirë duhan. Pritet që këto reklama të përcjellin një mesazh të rëndësishëm për adoleshentët amerikanë.

Kur fëmijët apo adoleshentët amerikanë marrin me qera DVD me filma ku personazhet pinë duhan, ka shumë të ngjarë që para se të shohin filmin të kenë parë një reklamë kundër duhanit ku nënvizohet kontrasti mes realitetit të hidhur për duhanpirësit dhe imazhit të sofistikuar që japin filmat.

Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve thotë se adoleshentët kanë prirje 2 herë më të lartë për të filluar duhanin nëse shohin njerëz duke pirë duhan, qoftë në filma, në televizion apo në reklama.

Po ashtu, një studim i ri i botuar në Revistën amerikane të Shëndetit Publik thekson se kompanitë e duhanit përdorin aroma të ndryshme si menten, për të nxitur të rinjtë të fillojnë duhanin.

Gjashtë kompani kinematografike kanë vendosur të shfaqin reklama kundër duhanit, në partneritet me administratën shtetërore të Kalifornisë dhe një fondacion bamirës që ka lidhje me industrinë e filmit. Dan Glikman përfaqëson Shoqatën e Kineastëve amerikanë.

“Nuk ushqejmë ndonjë iluzion se ky hap i vetëm nuk mund të shërbejë për të ndalur pirjen e duhanit, por do të vazhdojmë të japim kontributin tonë për të ndërgjegjësuar popullatën mbi rrezikun real që paraqet duhani ndaj shëndetit publik”.

Mesazhet kundër duhanit nuk do të përfshihen në DVD filmash për të rritur. Industria e filmit thekson se ka të drejtën të tregojë në filma personazhe që pijnë duhan, gjë që e thekson edhe Guvernatori i Kalifornisë, aktori i Hollivudit Arnold Shvarceneger.

“Unë personalisht nuk mendoj se duhet të eliminojmë plotësisht cigaret nga filmat. Nuk mendoj se duhet ta eliminojmë një pjesë filmi pasi personazhi po pi një puro. Por duhet t’ua bëjmë të qartë të rinjve rreziqet e duhanit”.

Grupet aktiviste kundër duhanit thonë se më shumë se gjysma e filmave për të rinj kanë skena me duhan.

Ata sjellin si shembull studimet se këto pamje mund të ndikojnë tek 200 mijë adoleshentët amerikanë që çdo vit fillojnë duhanin.

Mesazhet kanë në shenjestër rininë amerikane, por disa DVD me reklama kundër duhanit mund të përfundojnë edhe në tregun ndërkombëtar. //kk//

XS
SM
MD
LG