Lidhje

Fordi regjistron ulje të prodhimit


Kompania e prodhimit të makinave Ford njoftoi para pak ditësh se ka regjistruar një humbje prej disa miliarda dollarësh për tre mujorin e dytë dhe se do të ndërmarrë ndryshime të mëdha në uzinat e saj. Ndër arsyet kryesore të humbjeve janë çmimet e larta të benzinës të cilat vazhdojnë të dëmtojnë industrinë amerikane të makinave.

Fordi u bë dikur i famshëm për makinat e tipit T, që filluantë prodhohen në fillimit të shekullit të kaluar. Por shifrat e fundit të Fordit nuk lenë arësye për t’u krenuar. Kompania thotë se ka humbur rreth 8 miliard dollarë në tremujorin e dytë dhe analistët ia hedhin fajin çmimeve të benzinës.

”Ata duhet të gjejnë një zgjidhje të shpejtë dhe të prodhojnë makina të vogla që harxhojnë pak,” thotë ekspertja Lori Harbër.

Dhe pikërisht këtë po bën Fordi tani. Ai po pakëson prodhimin e kamionëve dhe po shton makinat e vogla që harxhojnë më pak. Kompania do të mbyllë dy uzina për prodhimin e makinave të mëdha si kjo në shtetin Miçigan për t’i hapur vend makinave të stilit europian si Ford Focus. Gjashtë nga modelet europiane të Fordit do të fillojnë të prodhohen në Shtetet e Bashkuara.

” Fordi ka qenë kryesisht prodhues i makinave të mëdha. Tani ata janë hedhur në prodhimin e makinave të stilit europian dhe kjo ndikohet padyshim nga ekonomia” thotë eksperti Ramin Robinson.

Për 50 vjet me radhë, ekzistonte shprehja “Ç’është e mirë për General Motors-in, është e mirë për vendin.” Por kjo nuk vlen më po të kihen parasysh rezultatet e kësaj kompanie. Ajo tani e ka humbur vendin e parë për numrin e makinave që shet dhe këtë vend e ka zënë Toyota. Analistët fajësojnë përsëri çmimet e benzinës.

” Janë çmimet e benzinës. Të gjithë po e shohin se kërkesa për makina të mëdha tani është e ulët," thotë Mark Gilles.

Për këtë arsye, General Motors është përqendruar te makina e re Chevrolet Volt, një makine hibride cila përdor benzinën vetëm kur janë harxhuar bateritë. Edhe Chrysler-i e ka ndjerë rënien në tregun e makinave. Kompania bëri të ditur se do të shkurtonte 1000 vende pune deri në fund të shtatorit. Tre të katërtat e automjeteve që prodhon Chrysler-i për tregun amerikan, janë makina të mëdha.

Kompania Ford planifikon të fusë në treg makinat e stilit europian brenda dy vitesh dhe një plan të tillë e ka edhe General Motors-i me modelin Chevrolet Volt. Duket se 2010-a do të jetë viti i makinave që harxhojnë pak benzinë. //mm//

XS
SM
MD
LG