Lidhje

Hoh: Hetimet vazhdojnë, nuk ka të dhëna për shkelje nga Ambasadori Uidhers



Drejtori i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore e Qëndrore në Departamentin e Shtetit Kris Hoh thotë se ndonëse hetimet për akuzat e ngritura ndaj ambasadorit Uidhers vazhdojnë, nuk ka arësye të mendohet se ambasadori apo personeli i ambasadës të kenë bërë ndonjë shkelje. Në intervistën dhënë kolegut Arben Xhixho, zoti Hoh thekson se ndër sfidat kryesore për Shqipërinë mbetet konsolidimi i reformave demokratike dhe respekti ndaj institucioneve të pavarura.


Kris Hoh:Mendoj se marrëdhëniet janë përmirësuar. Ato ishin të mira që në fillim dhe tani janë përmirësuar më tej. Gjatë kësaj kohe dy ishin ngjarjet më të rëndësishme, vizita e presidentit Bush në Tiranë në vitin 2007. Një vizitë historike për shumë arsye. Është një vizitë që presidenti Bush e përmend edhe sot kur flet me njerëzit, si një nga arritjet e tij, dhe e dyta ishte ftesa që iu bë Shqipërisë nga NATO-ja në takimin e prillit të këtij viti. Ishte kombinim i një pune të madhe që kanë bërë njerëzit në Shqipëri, me ndihmën tonë, miqve të tyre amerikanë dhe ky ishte moment me të vërtet i madh.

Zëri i Amerikës:Kohët e fundit një nga çështjet që ka tërhequr vëmendje në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Amerikës, është përfshirja e emrit të ambasadorit Xhon Uidhers, në një tregëti armësh që po hetohet për mashtrime dhe shpërdorime. Në çfarë pike ndodhet ky proces tani?

Kris Hoh:Sigurisht, mund të flas për disa gjëra, por nuk mund të hyj në disa hollësi të caktuara. Akuzat janë ngritur kundër një kompanie amerikane, për tregëti të paligjshme armësh, dhe ky proces po zhvillohet në gjykatat tona. Ky proces është i ndarë nga pyetja juaj, mbi veprimet e ambasadorit Uidhers dhe personelit të ambasadës. Hetimet që po zhvillohen janë pjesë e zakonshme e mbikqyrjes që ka Kongresi mbi ekzekutivin, gjë që ne e marrin seriozisht, por që megjithatë është procedurë standarte për ne në Departamentit e Shtetit që t’i përgjigjemi një kërkese si asaj që erdhi nga komisioni i ligjvenësit Uaksman dhe ne e kemi bërë këtë. Po ashtu është procedurë standarde që ne të zhvillojmë hetimet tona të brendshme dhe kjo po bëhet tani. Hetimet nuk kanë përfunduar ende, prandaj unë nuk mund të komentoj rreth hollësive të hetimeve të ligjvenësit Uaksman apo të Departamentit të Shtetit. Por ajo që mund të them është se ne nuk kemi njohuri për abuzim detyre qoftë të ambasadorit Uidhers, apo stafit të tij. Në fakt gjithçka tregon se ata kanë bërë bërë punë të mirë si në përgjithësi, edhe në përmirësimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe kanë ndihmuar autoritetet në hetimin e çështjes së trafikimit të armëve.

Zëri i Amerikës:Ju nuk mund të jepni hollësi të tjera meqë hetimet vazhdojnë, por sipas dokumenteve të komisionit të ligjvenësit Uaksman ka disa komunikime të brendshme të ambasadës që tërhoqën vëmendjen e ligjvenësit, e kam fjalën për takimin e nëntorit, vonë në mbrëmje, mes ambasadorit dhe ministrit shqiptar të mbrojtes, sipas të cilave ngjarjet nuk kanë ndodhur siç i mohon ato Ambasadori tek intervista e tij e parë për këtë çështje dhënë gazetës Los Angeles Times. A mund të flisni më gjatë për këto dokumente të brendshme të ambasadës?

Kris Hoh:Siç e thashë, unë nuk mund të komentoj rreth gjërave specifike që po hetohen tani, por mund të them se nga ç’kemi parë ne këtu, nuk ka arsye të mendojmë se ambasadori Uidhers të ketë shkelur rregullat apo që stafi i tij ta ketë bërë këtë.

Zëri i Amerikës:Si do të zhvillohet procesi nga kjo pikë? Cilat janë fazat e mëtejshme të tij?

Kris Hoh:Kjo varet shumë nga ligjvenësi Uaksman. Në sistemin tonë të kontrollit të pushtetit, Kongresi luan rolin e vet të pavarur. Prandaj duhet ta pyesni vetë ligjvenësin për këtë. Mendoj se ai do t’i kërkojë ndoshta stafit të vazhdojnë hetimet. Nuk është e pazakontë që gjatë hetimeve të ketë histori që nuk përputhen me njëra tjetrën. Pastaj ata do ta gjejnë të vërtetën dhe ne do presim përgjigjen e tyre.

Zëri i Amerikës:Dua t’i referohem edhe një herë komenteve të Ambasadorit Uidhers. Duke iu referuar çështjes së dëmtimit të imazhit, ai është shpërehur, se “Nuk e di se cilit Komision të Kongresit t’i drejtohem, që të më kthejë reputacionin”. Pyetja që dua të shtroj unë është, çfarë ndikimi mund të kenë hetimet mbi ambasadën amerikane në Shqipëri për imazhin e ambasadës dhe të Shteteve të Bashkuara në këtë vend?

Kris Hoh:Xhon Uidhers ka qenë mik dhe koleg i imi për shumë vite me radhë dhe kur u zgjodh si ambasador njerëzit ishin të kënaqur, sepse ai kishte reputacion shumë të mirë, si njeri me integritet dhe standarte të larta profesionale. Unë jam i bindur, se kur të përfundojë kjo çështje, reputacioni i tij do të mbetet i njëjtë. Por duhet ta kalojmë këtë periudhë dhe të presim me durim rezultatet e hetimeve. Prandaj nuk dua të komentoj mbi gjëra specifike. Duhet të kemi durim. Por mendoj se çështja që ngrini ju është e rëndësishme, sepse lufta kundër korrupsionit është çështje e rëndësishme në Shqipëri. Ёshtë një fushë në të cilën Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të ndihmojnë në forcimin e institucioneve, si atë të prokurorisë apo prokurorit të përgjithshëm, të japë ndihma në mënyra të ndryshme dhe ekipe hetuese në polici dhe gjykata dhe ky është problem i të gjitha vendeve në tranzicion, jo vetëm për Shqipërinë. Prandaj kjo do të jetë pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit tonë dypalësh. Dhe sinqerisht, nga sa shoh unë, i gjithë ekipi i ambasadës në Tiranë, duke përfshirë ambasadorin Uidhers, vazhdojnë të punojnë për këtë dhe gjëra të tjera të rëndësishme.

Zëri i Amerikës:Edhe një pyetje e fundit. Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur Shqipërinë për t’u anëtarësuar në NATO, por në të njejtën kohë i kanë bërë thirrje vendit të përfundojë reformat. Cilat janë sipas jush, sfidat kryesore për Shqipërinë në të ardhmen?

Kris Hoh:Mendoj se sfidat janë në disa fusha. E para është anti-korrupsioni për të cilin sapo fola. Një tjetër është konsolidimi i reformave demokratike. Përpjekjet që po bëhen për kartat e identitetit, regjistrimin e votuesve, praktikat e votimeve dhe të gjitha këto, të organizohen më mirë për zgjedhjet e ardhshme. Këto janë të rëndësishme dhe mendoj se janë në rrugën e duhur dhe po ecin mirë, por megjithatë duhet vazhdueshmëri. Po ashtu çështja e marrëdhënieve të institucioneve me njëra tjetrën është shumë e rëndësishme. E thashë pak më parë se ne në Shtetet e Bashkuara kemi sistemin tonë të kontrollit dhe balancës së pushteteve. Profesionalizmi në prokurori, polici, në shërbimet e zbulimit është i rëndësishëm. Respekti ndaj institucionit të Presidentit, ndaj institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm, po ashtu është i rëndësishëm. Këto ditë pati lajme të mira, kur parlamenti miratoi emërimet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Kjo tregon, sipas mendimit tim, se kryeministri, parlamenti dhe presidenti gjetën një mënyrë për të bërë atë që i nevojitet vendit. Mendoj se ata e bënë këtë brenda rregullave të sistemit demokratik, sepse Shqipëria është ende demokraci e re, ende duke përcaktuar disa nga këto rregulla dhe praktika dhe kjo punë e mirë duhet vazhduar. Një sfidë tjetër, është edhe reforma ekonomike. Mendoj se në të gjitha këto fusha ka pasur përparim. Anëtarësimi në NATO nuk ndodh automatikisht dhe kur hyn në klubin e demokracive perëndimore, kërkesat janë më të larta. Prandaj përpjekjet duhet të vazhdojnë. Mendoj se shumica e njerëzve në Shqipëri duan që ato të vazhdojnë, miqtë në Shtetet e Bashkuara duan që ato të vazhdojnë dhe unë që po lë postin pas dy viteve, ndihem mirë që këto gjëra do të vazhdojnë.//kh//

XS
SM
MD
LG