Lidhje

Ajri i ndotur, një nga shqetësimet më të mëdha për Lojrat Olimpike


Ndërsa Kina bën përgatitjet e fundit për Lojrat Olimpike, mjedisi po rezulton një nga elementet që autoritetet nuk po ia dalin dot ta kenë nën kontroll. Pekini është një nga qytetet me ajrin më të ndotur në botë. Pavarësisht nga masat që synojnë eliminimin e ndotjes, ajri gjithsesi është shpesh në ngjyrë gri.

Këto ditë, njerëzit nuk po i heqin sytë nga qielli i Pekinit. Disa ditë, veçanërisht pasi bie shi, qielli ka ngjyrë blu të kthjellët.

Por pamja më e zakonshme, është ajo e një mjegulle të hirtë që e bën të pamundur të shikosh godinat përreth.

Por cili është shkaku i qiellit gri në Pekin? A bëhet fjalë për një dukuri natyrore, apo është ndotje?

Ajri i ndotur është një nga problemet më të mëdha për lojrat olimpike që fillojnë më 8 gusht. Kina shpreson që bota të mrekullohet nga kjo ngjarje. Por a do ta mbështjellë me mjegull festën ajri i hirtë?

Piter Montgomeri, anëtar i Komitetit Olimpik Australian thotë se ndotja e ajrit e shqetëson atë dhe ekipin e vendit të tij.

“Për ne, gjëja më e rëndësishme është sesi ndjehen atletët. Mbi ta nuk do të ushtrohet asnjë lloj presioni për të marrë pjesë në gara nëse nuk duan”.

Disa delegacione olimpike, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuaram po u japin atletëve maska mbrojtëse.

Zëdhënësi i Zyrës së Bashkisë për Mbrojtjen e Ambjentit Du Shaozhong thotë se zyra e tij ka bërë të gjitha përpjekjet për të garantuar pastërtinë e ajrit.

“Nuk ka nevojë për maska gjatë garave. Nëse atletët vendosin që t’i përdorin, vetëm sa do të rëndonin bagazhin e tyre pa qenë e nevojshme”.

Disa nga masat drastike kundër ndotjes janë ndalimi i qarkullimit të gjysmës së mbi tre milionë makinave nëpër qytet dhe ndërprerja e pjesës më të madhe të punimeve të ndërtimit.

Autoritetet kanë ndërprerë gjithashtu punën në fabrikat e qytetit që shkaktojnë ndotje. Pavarësisht nga këto kufizime, ajri në Pekin vazhdon të jetë një përzierje kimikatesh dhe avulli të dëmshëm.

Organizata ambjentaliste Greenpeace e vlerëson Pekinin për përmirësimet por e ka nxitur Kinën që të marrë vendime afatgjata për të luftuar ndotjen.

Autoritetet kineze e pranojnë se disa herë ajri nuk është aq i pastër sa ç’duhet të jetë dhe paralajmërojnë se mund të jetë i dëmshëm për disa njerëz. Por për Lojrat Olimpike ata premtojnë që të ajri do të jetë i pastër dhe nuk do të prekë shëndetin e atletëve.

Qeveria kineze thotë se do të imponojë një kontroll edhe më të rreptë nëse cilësia e ajrit nuk i plotëson standardet, kur të fillojnë lojrat.

Kina ka pasur më shumë sukses në përpjekjet e saj në qytetin bregdetar të Qingdaos, ku algat mund të përbënin pengesë për aktivitetet olimpike të lundrimit. Shumë ekspertë thonë se shtresa e blertë e algave është shkaktuar nga ndotja e madhe industriale, kimikatet bujqësore dhe ujrat e zeza.

Qindra barka dhe mijëra njerëz janë mobilizuar për të pastruar algat. Aktivitetet olimpike të lundrimit fillojnë më 9 gusht. //kk//

XS
SM
MD
LG