Lidhje

SHBA: Përgjigja e Iranit ndaj paketës së stimujve, e papranueshme


Diplomatë të lartë nga 5 vendet anëtare të përheshme të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermanisë, do të konsultohen me telefon mbi një letër të Iranit rreth ofertës së stimujve për këtë vend për t'i dhënë fund pasurimit të uraniumit. Përgjigja e Iranit dërguar të martën Bashkimit Evropian tregon mos bashkëpunim nga ana e tij.

Shefi i diplomacisë i Bashkimit Evropian, Havier Solana, ia ka transmetuar mesazhin iranian gjashtë qeverive të përfshira në negociata me Iranin. Ndërkohë që zyrtarët në Uashington thonë se janë ende duke e studiuar dokumentin, ata nuk kundërshtojnë njoftimet e shtypit se Irani përsëri dështoi në dhënien e një përgjigjeje përfundimtare mbi ofertën e stimujve.

Të gjashtë vendet paraqitën në korrik atë që u quajt një propozim me nisma të reja, nëpërmjet të cilit Teheranit i ofrohej, midis të tjerave, ndihmë për energjinë bërthamore për qëllime civile, në qoftë se ai ndërpriste pasurimin në shkallë të gjerë të uraniumit, projekt që nga Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarë të tjerë shihet i lidhur me prodhimin e armëve.

Në takimin me 6 fuqitë në Gjenevë më 19 korrik, Irani nuk dha një përgjigje të qartë dhe tani, pas një periudhe dy javore, duket sikur ende nuk është i gatshëm të angazhohet për ndërprerjen ose ndalimin e pasurimit të uraniumit.

Në një konferencë për shtypin, i ngarkuari si zëdhënës i Departamentit të Shtetit, Gonzalo Gallegos, tha se në mungesë të një përgjigjeje përfundimtare, fuqive të mëdha do t'u duhet të shqyrtojnë mundësinë e masave ndëshkuese shtesë.

"Iranianët i dërguan një dokument Havier Solanës, dhe ai i është dërguar pesëshes së Këshillit të Sigurimit dhe Gjermanisë. Ato do t'i hedhin atij një shikim. Nesër në mëngjes do të zhvillohet një konferencë midis drejtorëve politike. Ashtu siç e kemi deklaruar edhe më parë, ne prisnim në përgjigje të qartë nga Irani dhe në mungesë të saj ne nuk kemi rrugë tjetër përveç ndërmarrjes së masave të metejshme kundër tyre që është pjesë e strategjisë sonë me dy drejtime paralele."

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar tre rezoluta me sanksione ndaj Iranit për mos ndalimin e pasurimit të uraniumit. Irani, në mënyrë të përsëritur, ka thënë se nuk ka qëllim prodhimin e armeve bërthamore dhe ka të drejtë të zhvillojë teknologjinë për pasurimin e uraniumit për centrale bërthamore civile.

Diplomatë të Kombeve të Bashkuara kanë thënë se mund të duhen muaj për aprovimin e një rezolute të re me sanksione kundër Iranit dhe mendohet se ky problem do të diskutohet nga fundi i shtatorit, kur udhëheqësit botërorë do të mblidhen në Nju Jork për fillimin e punës së Asamblesë së re të Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, zyrtarë të Shteteve të Bashkuara thanë se sanksionet e njëanëshme mbi institucionet financiare të Iranit nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë mund të forcohen.

Fuqitë kryesore propozuan pezullimin e sanskioneve në qoftë se Irani pezullonte në tërësi pasurimin e uraniumit dhe i rikthehej negociatave mbi programin e tij bërthamor. Si një hap të parë drejt negociatave, ato kanë ofruar ngrirjen e sanksioneve nëse Irani bie dakord të mos shtojë numrin e centrifugave të reja për pasurim.

Ndërkohë që refuzon të angazhohet për ndalimin ose ndërprerjen e pasurimit, Irani ka propozuar një seri takimesh pa kushte të nivelit të lartë me 5 fuqitë e mëdha plus Gjermaninë. //ad//

XS
SM
MD
LG