Lidhje

Konferenca e Sidës përqëndrohet tek parandalimi dhe trajtimi i sëmundjes


Pjesëmarrësit në Konferencën e 17 Ndërkombëtare për Sidën që po zhvillohet në qytetin e Meksikos po paraqesin zbulimet e tyre. Ata po diskutojnë gjithashtu mbi studimet për mjekim, hapat praktikë për trajtimin e të infektuarve dhe rrugët për të parandaluar përhapjen e virusit HIV. Konferenca që përfundon nesër ka mbledhur së bashku një komunitet të gjerë të njerëzve që kërkojnë të luftojnë sëmundjen vdekjeprurëse.

Atmosfera është festive dhe ekspertët janë të shumtë në Fshatin Global pranë Konferencës së 17 Ndërkombëtare për Sidën në qytetin e Meksikos.

Në tendat këtu, njerëz nga mbarë bota mund të bisedojnë miqësisht dhe të shkëmbejnë mendimet e organizatave të tyre për të trajtuar dhe frenuar sëmundjen e pashërueshme.

Një pjesë e mirë e punës bëhet në sesionet zyrtare. Këtu studiuesit paraqesin punën e tyre dhe personalitete të shquara flasin për luftën kundër sidës.

Ish presidenti Bill Clinton ishte një nga folësit e këtij viti. Ai drejton fondacionin që kërkon të ulë koston për mjekimet e SIDËs.

Zoti Klinton tha se vendosmëria e atyre që luftojnë SIDËn po sjell ndryshime.

"Nuk mund të zbrapsemi në kërkimet dhe të errësojmë përparimin e bërë, paratë e grumbulluara, koalicionin e gjerë të njerëzve të vendosur për të vepruar me të njëjtën urgjencë ashtu si nëna vrapon për të gjetur ilaçin për një fëmijë që po i vdes".

Në Fshatin Global, këshilluesit e praktikave të seksit janë pjesëmarrësit më të pazakontë. Ata argumentojnë se puna e tyre duhet të legalizohet, si një mënyrë për të përmirësuar përpjekjet e shëndetit publik për të luftuar infeksionin e HIVit.

Rachel është nga Australia.

"Ata janë pjesë e zgjidhjes dhe nuk janë problemi. Në se njerëzit janë vërtetë seriozë për të luftuar virusin HIV dhe kërkojnë të rrisin nivelin e edukimit këta punonjës duhet të përfshihen në të gjitha nivelet".

Ekspertët e SIDËs thonë se prezervativi është mjeti më i rëndësishëm për të ndaluar përhapjen e virusit HIV.

Dhe prezervativët shpërndahen gjërësisht këtu.

Ka edhe një karikaturë të një grupi nga Kanadaja paraqitur këtu nga Caitlin Delaney.

"Derisa të gjendet ilaçi, parandalimi është e vetmja mënyrë për të mos u prekur nga SIDA. Është e rëndësishme gjithashtu që kur je i infektuar duhet të parandalosh përhapjen dhe prezervativi është mjeti më i mirë."

Prezervativët nuk sigurojnë një mbrojtje të plotë, por eksperti i shëndetit publik Hose Jados Comenge thotë se ata janë një mjet i rëndësishëm parandalimi.

"Një prezervativ mund të çahet ose njerëzit mund ta përdorin jo si duhet, por në se i përdor si duhet dhe tërë kohën, je shumë i mbrojtur ndaj SIDËs dhe sëmundjeve të tjera të transmetuara seksualisht".

Në shoqëritë më konservatore, mund të jetë e vështirë të flasësh hapur rreth çështjeve të tilla si prezervativët apo sëmundjet e transmetuara seksualisht.

Por punonjësit profesionalë të shëndetësisë që marrin në konferencë thonë se diskutimi i hapur për kërcënimin nga HIVi dhe SIDA mund të shpëtojë jetë njerëzish.//rd//

XS
SM
MD
LG