Lidhje

Olimpiket venë në dukje dy imazhe të Kinës


Lojërat Olimpike po i ndjekin nga afër qindra mijëra njerëz nga Kina dhe nga e gjithë bota. Shumë prej tyre po e shfrytëzojnë vajtjen në Kinë edhe për të vizituar disa nga qendrat historike të Pekinit.

Është një mëngjes i lagësht në Pekin dhe ambjentet e Pallatit Veror Perandorak janë mbushur me vizitorë.

Xie Lian praktikon artin e lashtë të kaligrafisë kineze në një nga rrugicat që të çojnë në Pallatin Veror. Ai ka shkruar "Olimpiket erdhën", me një furçë të madhe bojërash uji.

Ai thotë se është e vështirë të gjesh bileta për në Lojëra dhe se ka radhë të gjata, por ato janë diçka e mirë për Kinën.

"Janë një gjë e mirë për ekonominë e vendit dhe do t'i përmirësojnë marrëdhëniet mes Kinës dhe vendeve të tjera. Lojërat gjithashtu do t'i nxisin njerëzit të punojnë më shumë dhe kjo do ta ndihmojë vendin...", - thotë ai.

Uang Tian Xiu jeton në Londër dhe ka ardhur për të parë lojërat. Ajo thotë se Olimpiket kanë bërë që të përmirësohen parqet dhe objekte të tjera të vendit. Tani qyteti është shumë më i pastër se më parë. Ajo pranon se janë shpenzuar shumë para, por kjo ja vlen.

"Është një moment i mirë për popullin kinez, që t'i tregojë botës, se vendi ynë është bërë më i fuqishëm. Ne kemi aftësinë për të organizuar një ngjarje me këto përmasa. Kemi aftësinë të jemi pjesë e industrisë ndërkombëtare dhe kjo është një gjë e shkëlqyer",- thotë Uang.

Ajo pranon se Olimpiket, po ashtu, kanë sjellë edhe kritika ndaj Kinës për çështje të tilla, që nga mjedisi, shtypja politike dhe të drejtat e njeriut. Por ajo shton se ky është një moment kur duhen shijuar Lojërat.

"Çdo vend i botës ka përjetuar probleme të shumta në vitet e para të zhvillimit ekonomik. Kjo nuk duhet mohuar. Kina aktualisht vazhdon të jetë një vend në zhvillim. Në të ardhmen, patjetër që ky problem duhet trajtuar", - thotë ajo.

Në një tjetër pikë turistike të Pekinit, në "Qytetin e Ndaluar", kanadezi Dejv Samërs thotë se debati, në se politika duhet përzjerë me sportin, është i kuptueshëm.

"Aspekti politik do të jetë kurdoherë i pranishëm, sepse kjo është një ngjarje botërore me përmasa të mëdha dhe njerëzit duan të tërheqin vëmendjen me këtë rast. Çdo ngjarje e përmasave të tilla, duket qartë se do t'u shërbejë atyre për të dhënë mesazhin që duan. Pra, nuk më çudit aspak fakti që sot ka shumë mendime të ndryshme,"- thotë ai.

Por Samërs, ashtu sikurse shumë të tjerë, thotë se Olimpiket duhet të jenë në fakt për atletët, që ja kanë kushtuar jetën e tyre përgatitjeve për të marrë pjesë në to. Dhe në këto momente, thotë ai, politika duhet lënë mënjanë.//lk


XS
SM
MD
LG