Lidhje

Presidenti Bush: Gjeorgjia është vend sovran dhe tërësia e tij territoriale duhet respektuar


Presidenti amerikan Xhorxh Bush, bëri thirrje që t’i jepet fund të luftimeve në provincën e Osetisë Jugore, që kërkon shkëputjen nga Gjeorgjia.

Presidenti Bush tha se luftimet duhet të ndalohen.

“Jam tepër i shqetësuar rreth situatës në Gjeorgji. Shtetet e Bashkuara e shohin me shumë seriozitet këtë problem”, - tha ai.

Ai tha se është veçanërisht i shqetësuar nga fakti se konflikti është duke u përhapur në pjesë të tjera të Gjeorgjisë, duke ju referuar bombardimeve ruse përtej kufijve të Osetisë Jugore.

“Dhuna është duke rrezikuar paqen në rajon. Janë humbur jetë civilësh dhe të tjerë janë në rrezik.”

Statusi i autonomisë i Osetisë Jugore u shfuqizua nga qeveria e Gjeorgjisë në vitin 1990 dhe u rivendos përsëri në vitin 1992. Qeveria e tanishme në Tbilisi u zotua t’i rikthehet gjendjes së mëparshme dhe për të arritur këtë filloi të enjten një operacion ushtarak.

Por Osetia Jugore ka lidhje të forta me Moskën, e cila mbështet lëvizjen separatiste. Kur Gjeorgjia dërgoi forcat e saj atje, rusët u kundërpërgjigjën, me dërgimin e më shumë trupave dhe artilerisë.

Presidenti Bush tha se të gjitha palët duhet të tërhiqen, t’u japin fund armiqësive dhe të punojnë me ndërmjetësuesit për zgjidhjen e konfliktit.

“Gjeorgjia është një vend sovran dhe tërësia e tij territoriale duhet të respektohet. Ne kemi bërë thirrje për një ndërprerje të menjëherëshme të dhunës dhe tërheqjen e të gjitha trupave.”, - tha Presidenti.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se në biseda të veçanta me Presidentin e Rusisë, Dmitri Medvedev, dhe me atë të Gjeorgjisë, Mikail Saakshvilli, Presidenti Bush shprehu edhe një herë pozicionin e Shteteve të Bashkuara. Në një takim të shkurtër me gazetarët në Pekin, zoti Bush i bëri thirrje Rusisë të ndërpresë bombardimet dhe të fillojë të bashkëpunojë në përpjekjet për paqe.

“Rusia duhet t’i mbështesë këto përpjekje, me qëllim që të rivendoset paqja sa më shpejt që të jetë e mundur,”- tha Presidenti.

Zyrtarë rusë thanë se mbi 1 mijë e 500 vetë kanë humbur jetën dhe dhjetëra mijëra të tjerë janë larguar për në vendin fqinj të Osetisë Veriore, në Rusi.

Armiqësia midis Rusisë dhe Gjeorgjisë i nxiti këto dy ish-republika Sovjetike kundër njera-tjetrës, duke krijuar shqetësim ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë njoftuan të premten se do të dërgonin në Gjeorgji një delegacion, me shpresa për arritjen e një armëpushimi.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u mblodh përsëri dje për të diskutuar mbi krizën, por për të tretën herë nuk mundi të binte dakord për një deklaratë të përbashkët me qëllim që t’i jepet fund dhunës në Gjeorgji. Pritet që Këshilli i Sigurimit të mblidhet përsëri sot për të diskutuar mbi krizën.//lk

XS
SM
MD
LG