Lidhje

Çfarë i motivon sipërmarrësit?


Studimet kanë arritur në përfundimin se sipërmarrësit kanë karakteristika të përbashkëta që i motivojnë të hapin biznese të reja. Sipërmarrësit e suksesshëm shpesh motivohen jo vetëm nga përfitimet financiare dhe kanë kapërcyer vështirësi të shumta.

Për 35 vjet, bitaniku Richard Branson e ka kthyer kompaninë e tij Virgin në një nga

bizneset më të mëdha globale. Si rezultat ai është bërë një nga njerëzit më të pasur të botës. Por kur ishte fëmijë, zoti Branson vuante nga disleksia, një sëmundje që vështirëson të mësuarin. Ai nuk ka ndjekur universitetit, megjithatë ishte i motivuar për të qenë i suksesshëm. “Në shkollë, ndonjëherë kur jepja provim, nuk dija ç’të bëja. Unë e lashë shkollën në moshën 15 vjeçare dhe fillova të kërkoj punë për të siguruar jetesën”.

Kur ishte adoleshent Branson u përpoq dy herë pa sukses për të hapur biznese. Por më pas ai hapi dhjetra aktivitete të suksesshme biznesi.


Në Indi, Sunil Mittalit iu desh të kapërcente sfida të ndryshme.

“Unë u rrita në një periudhë kur modeli socialist sovjetik i ekonomisë kishte marrë në Indi forma shumë dramatike”.


Mittal thotë se fundi i administrimit të centralizuar të ekonomisë pas vitit 1992 i dha mundësinë grupit të tij Bharti të bëhej korporata e dytë më e madhe në Indi.

“Me 35 milionë dollarë ne ndërtuam kompaninë më të madhe të telekomunikacionit në Indi”. Sot Bharti Airtel ka 30 mijë punonjës.

Brent Goldfarb, profesor biznesi në Universitetin e Merilendit thotë se shumë njerëz duan të bëhen sipërmarrës, disa për të pasur një aktivitet të vetin dhe të tjerë për t’u pasuruar. “Fakti është që shumë sipërmarrës nuk pasurohen. Në fakt shumë prej tyre fitojnë më pak sesa po të punonin për dikë tjetër”.

Kështu ndodhi me pakistanezin Ashar Hafeez. Ai e hapi restorantin e parë Tandoori në Islamabad në vitin 1993. Pasioni i tij ishte biznesi dhe puna.

“Çfarëdo pune të bësh, duhet të përpiqesh shumë. Është shumë e vështirë dhe nuk mund ta bësh vetëm. Duhet të kesh një ekip të mirë”.


Në pjesën kurde të Irakut, Suhela Kakil Raza është nënë e katër fëmijëve. Para një viti ajo filloi të bënte veshje grash. Por kishte pengesa.

Në qytetin e saj Irbil, asaj i duhej të gjente një dyqan që nuk frekuentohej nga burrat, në mënyrë që klientet e saj myslimane suni të mund të shkonin dhe të blenin.

Sot ajo ka katër punonjëse dhe do që ta zgjerojë biznesin.

“Unë dua të kem një fabrikë timen që do të ishte e ndarë në dy pjesë. Në njërën prej tyre do të kishte 12 makina ku të punonin 12 vajza. Ndërsa pjesa tjetër do të ishte si shkollë ku vajzat e reja të mësonin porfesionin”.

Në Johanesburg Mthuli Ncube është drejtor i institutit të sipërmarrjes në Universitetin e Vitvatersrand.

“Afrika nuk ka shumë sipërmarrës që janë të gatshëm të rrezikojnë”.

Por sipërmarrësi më i njohur zezak i Afrikës së Jugut, Richard Maponya vazhdimisht ka rrezikuar duke ngritur një perandori qendrash tregtare. Edhe gjatë periudhës së aparteidit ai nuk u frenua.

Kohët e fundit, Maponya, tani në të tetëdhjetat hapi një qendër të madhe në rrethinat e Johanesburgut.

Donald Trump, biznesmeni i suksesshëm amerikan thotë se sipërmarrësit duhet të kenë pasion, të jenë këmbëngulës, të kenë vizion, të jenë të hapur ndaj informacionit të ri, të mësojnë të negociojnë dhe të vlerësojnë konkurrencën. //rd//

XS
SM
MD
LG