Lidhje

Newseum, muzeum i ri në Uashington për historinë e gazetarisë


Washingtoni ka muzeume të të gjitha formave dhe madhësive kushtuar artit, historisë, dhe teknologjisë. Një muzeum i ri i cili merret me historinë e gazetarisë ka hapur rishtazi dyert për publikun. Muzeu i shtypit i quajtur Newseum ndodhet në një vend shumë të përshtatshëm mes ndërtesës së Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë. Fakti që ai është aq pranë qendrës së pushtetit politik amerikan përçon një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e madhe që amerikanët i japin lirisë së shprehjes.

Muzuemi i lajmeve është gati i gjithi prej xhami duke reflektuar kështu transparencën e medias. Monitorë të mëdhenj televizivë mund të shihen nga kalimtarët e rastit. Gdhendur në fasadën e ndërtesës ndodhet Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane, baza e lirive amerikane që përfshin lirinë e fesë, e shprehjes, dhe të shtypit.

Muzeumi i lajmeve është një kolazh imazhesh, videosh, fotografish dhe artikujsh gazetash. Ai sjell në një vend teknologjinë e re me atë vjetrën duke paraqitur kështu historinë e shtypit. Zëvendëspresidentja e muzeut të shtypit Susan Bennett vlerëson rolin që ka pasur krijuesi i gazetës USA Today për hapjen e këtij muzeumi.

“Muzeu përfaqëson idetë e shumë njerëzve. Al Neuharth, i cili është edhe krijuesi i gazetës USA Today dhe organizatës Freedom Forum, i cili është edhe mbështetësi ynë kryesor financiar propozoi që të kishte një muze të tillë. Kështu, muzeu ynë i parë u krijua në vitin 1997 në Virginia dhe qëndoi i hapur për pesë vjet. U habitëm sesa shumë njerëz e vizituan muzeumin. Kjo bëri që të ndërtohet një muzeum shumë më i madh dhe shumë më i mirë.”

Newseum ëhtë gjigant. 75 mijë metra katrorë sipërfaqje është shpërndarë në 14 galeri në 7 nivele të ndryshme. E ndërsa muzemi i kushtohet profesionit të gazetarisë, Bennet thotë se ai nuk është vetëm për gazetarë.

“Ne nuk e hapëm muzeun për gazetarët. E hapëm muzeumin për ata që janë të interesuar për historinë, aktualitetin dhe politikën; kemi 15 salla këtu.”

Ralph Applebaum ka projektuar shfaqjet e muzeumit të lajmeve.

“Ky është një muzeum i zhurmshëm. Është një muzeum ku njerëzit flasin me njëri-tjetrin, pasi ata këtu shohin pjesë të jetës së tyre.”

Drejtorët e muzeut të shtypit shpresojnë që vizitorët nga e gjithë bota do të frymëzohen mbi vlerat e shtypit të lirë dhe njerëzit që ia dedikojnë jetën e tyre shkrimit të variantit të parë të historisë. (ze)

XS
SM
MD
LG