Lidhje

SHBA: Kandidatët presidencialë mbi veprimet ruse në Gjeorgji


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates ka paralajmëruar se marrëdhëniet me Rusinë mund të dëmtohen për vite të tëra, nëse Moska nuk tërhiqet nga veprimet agresive në Gjeorgji. Zoti Gates tha se nuk e sheh të nevojshme që Shtetet e Bashkuara të ndërhyjnë ushtarakisht në Gjeorgji. Të dy pretendentët kryesorë në zgjedhjet presidenciale amerikane kanë shprehur kritika në adresë të Rusisë.

Një javë më parë, Gjeorgjia sulmoi një rajon rebel në vend, duke nxitur kundërpërgjigjen ruse. Gjeorgjia dhe Rusia ranë dakord të martën të respektojnë një armpushim të ndërmjetësuar nga francezët, megjithatë situata vazhdon të jetë e brishtë.

Senatori Xhon Mekein, që pritet të marrë emërimin e republikanëve si kandidat në zgjedhjet presidenciale, i dënoi veprimet e Rusisë në Gjeorgji:

"Veprimet ruse, të cilat përbëjnë shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, nuk kanë vend në Evropën e shekullit të 21-të."

Gjatë fushatës në shtetin Miçigan, senatori nga Arizona tha se rusët e kanë tepruar.

"Dua të angazhohem në dialog me rusët. Dua që ata të tërhiqen sa më parë nga territori gjeorgjian. Jam gjithashtu i interesuar për marrëdhënie të mira mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Por në shekullin e 21-të, një vend nuk pushton një vend tjetër."

Rivali i zotit Mekein, Senatori Barak Obama, i cili pritet të emërohet si kandidati demokrat në zgjedhjet presidenciale, u bëri thirrje të dyja palëve të tregohen të matura:

"Ky është një dhunim i hapur i sovranitetit dhe kufijve gjeorgjiane të njohura në shkallë ndërkombëtare. Kombet e Bashkuara duhet të angazhohen në mbrojtje të anëtarëve të tyre dhe të paqes në botë."

Zoti Mekein ka qenë 3 herë në Gjeorgji që nga viti 1997. Por ndërkaq janë ngritur pyetje etike lidhur me këshilltarin kryesor politik të zotit McCain, Randy Scheuneman, një ish-lobist për qeverinë gjeorgjiane, e cila i ka paguar atij qindra mijëra dollarë. Ai përfundoi punën për qeverinë gjeorgjiane në prill. //ad//

XS
SM
MD
LG