Lidhje

Senatorët Obama dhe Mekejn debatojnë dilemat morale të Amerikës


Të dy kandidatet presidencialë, senatorët Barak Obama dhe Xhon Mekejn, bënë të qartë dallimet e tyre lidhur me çështjen e abortit dhe me dilemat morale të Amerikës gjatë një forumi të të krishterëve konservatorë. Të dy kandidatët po përpiqen të fitojnë sa më shumë përkrahje nga ky grup votuesish, i cili në të kaluarën ka treguar se është shumë i rëndësishëm në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Të dy kandidatët u shfaqën në të njëjtin podium për herë të parë në disa muaj dhe paraqitën qëndrimet e tyre në një sërë çështjesh si të politikës së jashtme ashtu edhe asaj të brendshme. Një çështje e rëndësishme në këtë debat ishte edhe ajo e abortit. Senatori Obama tha se ai e përkrahte abortin dhe do të vinte kufizime vetëm në fazën e fundit të shtatzanisë dhe do të bënte përjashtime vetëm nëse shëndeti i nënës ishte në rrezik. Ai tha se e dinte se shumë njerëz e konsideronin qëndrimin e tij rreth abortit si të padrejtë por shtoi se gratë nuk e marrin vendimin për abort pa e peshuar dhe menduar mirë atë.

Senatori Obama tha se qeveria duhet të bëjë më tepër që të parandalojë shtatzanitë e padëshiruara dhe të ndihmojë të varfërit me fëmijë si dhe të përmirësojë shërbimet e adoptimit.

Senatori Mekejn nga ana tjetër shprehu në mënyrë shumë të qartë qëndrimin e tij kundër abortit dhe theksoi besimin e tij se jeta fillon që në momentin kur krijohet embrioni. Ai ritheksoi se do të ndjek politika kundër abortit siç ka bërë edhe në të kaluarën.

“Për 25 vjet në Kongres, unë kam mbajtur një qëndrim kundër abortit. Si President i Shteteve të Bashkuara unë do të ndjek politika kundër abortit. Ky është zotimi im para jush."

Senatori Mekejn i cili ka adoptuar një vajzë nga Bangladeshi bëri gjithashtu thirrje për të përmirësuar shërbimet e adoptimit. Të dy kandidatët i bënë këto komente në një forum që zgjati rreth dy orë dhe i cili u organizua nga pastori Rik Uoren, udhëheqës i një kishe në Kaliforni.

Senatori Obama foli në pjesën e parë të forumit ndërsa senatori Mekejn në pjesën e dytë. Pastori Uoren u bëri të dy kandidatëve të njëjtat pyetje. Senatori Mekejn tha se nuk i kishte dëgjuar komentet e senatorit Obama, pra nuk gëzonte ndonjë avantazh në diskutim.

Senatori Obama tha se dështimi më i madh i Amerikës është ndihma e pamjaftueshme për të varfërit.

“Ne ende nuk i përmbahemi thënies së Biblës se çdo gjë që bën për vëllezërit e mi të varfër, bën edhe për mua. Ky parim vlen për varfërinë, racizmin dhe dallimet gjinore,” tha Senatori Obama i cili u prit me duartrokitje.

Senatori Mekejn ndërkaq tha se dështimi më i madh moral i Amerikës është se amerikanët nuk shohin përtej interesit vetjak.

“Mendoj se pas 11 shtatorit në vend që t’u themi njerëzve që të shkojnë të bëjnë pazar apo të udhëtojnë për pushime, ne duhej t’u kishim thënë që të angazhohen si vullnetarë me Korpusin e Paqes.”

Këto komente dukej se ishin një kritikë indirekte ndaj presidentit Bush. Ky forum ishte një shans i mirë për kandidatët, njëkohësisht ishte edhe sfidues. Senatori Obama pati rastin të diskutonte rreth fesë së krishterë dhe të hidhte poshtë thëniet se ai ishte mysliman. Por i dha atij rastin edhe të vëjë theksin në disa çështje si aborti, të cilin shumë besimtarë evangjelistë në Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë.

Qëndrimet e senatorit Mekejn përputhen më mirë me ato të besimtarëve evangjelistë, por ai shpesh duket se nuk ka dëshirë të flasë rreth fesë dhe shumë udhëheqës fetarë kanë qenë skeptikë ndaj kandidaturës së tij. //bsa//

XS
SM
MD
LG