Lidhje

Debatet mbi ndryshimin e emrave të rrugëve në Moskë


Në vitin 1990, në prag të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Këshilli i Qytetit të Moskës ndryshoi emrat e shumë rrugëve që nderonin udhëheqësit komunistë të lidhur me krimet e regjimit. Jo të gjitha arritën të ndryshohen. Prandaj sot, aktivistë të shoqërisë civile në Rusi po kërkojnë që ky proces të përfundojë. Megjithatë, shumë banorë të Moskës janë mësuar me këta emra dhe nuk e dinë historinë e përgjakëshme që ato përfaqësojnë.

Gjatë epokës sovjetike, qyteti Jekaterinburg në Malet Urale quhej Sverdlovsk për nder të revolucionarit bolshevik, i cili organizoi vrasjen e Carit të fundit të Rusisë, Nikollaji i Dytë dhe familjes së tij 90 vjet më parë. Qyteti ende ka një monument të Sverdlovit. Veprimtarët civilë në Moskë kanë filluar një fushatë për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shesheve të vënë për nder të ish udhëheqësve komunistë. Vladimir Lavrov, historian në Akademinë ruse të Shkencave, thotë se emrat e rrugëve pasqyrojnë vlerat e një vendi.

"Në Rusi ekziston mungesa e një botkuptimi, e një botkuptimi të paanshëm. Ekziston një mungesë drejtimi e cila i çorienton njerëzit, sidomos rininë."

Rruga 1905 në qendër të Moskës quhet kështu për nder të kryengritjes me dhunë të atij viti kundër regjimit carist. Bolshevikët e quajnë këtë rebelim si pararendës të revolucionit komunist të vitit 1917. Sot, aktivistët po përpiqen t’i kthejnë rrugës emrin e dikurshëm, Jeruzalemi i Ri, sepse kjo, sipas tyre, do ta lidhte atë me paqen dhe me Zotin se sa me pushkët dhe me gjakderdhjen. Por nga intervistat që Zëri i Amerikës bëri me banorët, del se kërkesat për ndryshime janë të pakta. Ja ç’thotë ky student me emrin Sergei:

"Për këtë duhet të kesh njohuri nga historia. Por unë di pak nga historia e kësaj rruge, pra nuk mund të them shumë. Do të ishte ndryshe po të dija më shumë për historinë e vitit 1905 dhe për emrin Jeruzalemi i Ri. Nëse më pyesni mua, më pëlqen më tepër emri 1905."

Vladimir Lavrov thotë se mosnjohja e historisë pasqyrohet në rezultatet kontradiktore të një ankete të fundit ku njerëzve u kërkohet të thonë emrat e 50 rusëve më të shquar. Në krye ata kishin vënë Car Nikollajin, i cili u vra nga komunistët dhe Stalinin, i cilësuar si vrasësi më i madh masiv në histori. Historiani thotë se vazhimi i nderimit për diktatorin komunist bën që të huajt t’i tremben Rusisë.

"Kjo u jep një justifikim atyre që e urrejnë Rusinë si dhe një arësye që vendet e tjera të bëjnë gjithçka për të na shmangur, për shembull për pranimin në NATO apo përsa i përket instalimit të një sistemi antiraketë në territorin e tyre."

Selia e Shërbimit Federal Rus të Sigurisë, FSB, ndodhet në një shesh që dikur quhej Feliks Xherxhinski, ish shef i pararendëses së kësaj agjencie, KGB-së, e cila përndoqi miliona njerëz deri në vitet 80. Tani, sheshi quhet, Lubyanka, që është një emër tradicional. Por vëzhguesja politike, Masha Lipman e Qendrës Karnegi në Moskë, thotë se ndryshimi i emrave nuk e ndryshon realitetin.

"Personeli kryesor i zotit Putin ka qenë dhe i përket Shërbimit Federal të Sigurimit, pasardhës i KGB-së, e megjithatë vendi as që e merr mundimin të përballet me një realitet të tillë. Gjithashtu, ndryshimi i rrugëve, duke u vënë emra nga e kaluara e largët, nuk ndryshon asgjë në perceptimin e popullit rus."

Megjithatë, thotë zonja Lipman, edhe dënimi sipërfaqësor i komunizmit është më mirë se asgjëja. Por ka rëndësi, sipas saj, që rusët të mos kujtojnë se ky dënim i sipërfaqshëm është ajo që kërkohet: përballja e domosdoshme me të kalurën e errët sovjetike të Rusisë. //bsa//

XS
SM
MD
LG