Lidhje

Rusi: Trupat filluan tërheqjen nga zonat e pushtuara në Gjeorgji


Udhëheqësit ushtarakë rusë thanë sot se trupat e tyre filluan tërheqjen nga zonat e pushtuara në Gjeorgji, duke iu përmbajtur premtimit të bërë dje dhe të përsëritur sot nga presidenti Dimitri Medvedev. Zyrtarët gjeorgjianë thanë se nuk kishin parë shenja të tërheqjes së trupave, për cilën dy vendet ranë dakort në marrëveshjen e paqes të ndërmjetësuar nga Franca. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Ema Stikgold sjell hollësi nga Moska.

Më herët dukej sikur Rusia nuk po lëvizte nga pozicionet e saj në Gori, qyteti gjeorgjian që ka qenë një ndër pikat kryesore të konfliktit. Por një komandant ushtarak rus tha se forcat ruse kanë filluar të largohen nga qyteti. Megjithatë, zyrtarët gjeorgjianë thonë se trupat ruse vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet kyçe në vendin e tyre përtej rajonit separatist të Osetisë Jugore.

Gjenerali Anatoli Nogovitsin, zëvendës kryetar i shtabit të përgjithshëm të Rusisë, tha gjatë konferencës së tij të përditshme për shtyp se trupat ruse ishin duke u kthyer në Osetinë Jugore.

"Trupat ruse po shkonin në Osetinë Jugore dhe në zonën e sigurisë të përcaktuar nga një marrëveshje e vitit 1999 nga komisioni i përbashkët i kontrollit, i cili ka qenë formalisht përgjegjës për statusin e Osetisë Jugore që kur ajo u nda nga Gjeorgjia në fillim të viteve '90".

Sekretarja amerikane e Shtetit Kondolisa Rajs tha se Rusia duhet të mbajë premtimin e saj për t'u tërhequr nga Gjeorgjia.

"Presidenti rus e ka dhënë fjalën e tij dhe shpresoj se këtë herë ai do ta mbajë atë".

Sekretarja Rajs i bëri komentet për rrjetin televiziv Fox News.

Zonja Rajs u largua sot herët nga Uashingtoni për në Bruksel, ku do të takohet me zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe ministrat e jashtëm të NATO-s në Bruksel.

Zyrtarët gjeorgjianë thanë se mbrëmja e së dielës ishte më e qeta që kur filluan luftimet në fillim të muajit. Trupat dhe tanket ruse kanë mbajtur nën kontroll pjesë kryesore të Gjeorgjisë për më shumë se një javë duke përfshirë autostradën kryesore lindje-perëndim të vendit. Konflikti filloi kur forcat gjeorgjiane filluan sulmet kundër rajonit separatist të Osetisë Jugore. Pёrgjigja ushtarake e Rusisë ka tronditur gjithë perëndimin.

Presidenti gjeorgjian Mihail Sakashvili foli me një ton më pajtues sot duke thënë se do të dëshironte të negocionte me udhëheqësit rusë për të parandaluar keqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. (ze)

XS
SM
MD
LG