Lidhje

Rusia ndërpret bashkëpunimin ushtarak me Naton


Rusia ka ndërprerë gjithë bashkëpunimin ushtarak me NATO-n pasi ministrat e jashtëm të kësaj aleance thanë se e ardhmja e mardhënieve me Rusinë do të varet nga tërheqja e trupave ruse nga Gjeorgjia. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Stearns, administrata e presidentit Bush thotë se Rusia po shkel marrëveshjen për tërheqjen e trupave të saj nga Gjeorgjia.

Rusia njoftoi NATO-n se do ta ndërpresë tërë bashkëpunimin ushtarak ndërkombëtar me aleancën e NATO-s deri në një vendim tjetër. NATO-ja, javën e kaluar pezulloi planet që një anije ruse t’u bashkangjitet atyre të NATO-s në një patrollim kundërterrorist në detin Mesdhe pasi Rusia sulmoi Gjeorgjinë.

Duke pasur parasysh qëndrimin e njohur të NATO-s, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Gordon Johndroe tha se vendimi i fundit i Rusisë për të mos bashkpunuar me NATO-n nuk është shumë i rëndësishëm.

”Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit bashkpunimi ndërushtarak me Rusinë ishte ndërprerë edhe para këtij vendimi të Rusisë. NATO pezulloi disa manovra ushtarake dhe nuk mund ta marr me mend se si mund të bashkpunojmë me Rusinë deri sa të zgjidhet situata në Gjeorgji".

Sipas një marrëveshjeje të arritur në vitin 2002 me NATO-n, Rusia kishte pranuar të bashkpunojë në disa fusha dhe projekte, përfshirë teknlologjinë anti raketore, misione shpëtimi detare, dhe lufta kundër trafikimit të heorinës nga Afganistani. Zoti Xhondroe tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që bashkpunimi ndërushtarak të filloj sërish por ai shtoi se Rusia tani po merr vendime të cilat nuk shkojnë drejtë një rruge që të bëhet pjesë e Evropës së lirë, paqësore dhe të pacenuar.

Ministri i jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov tha se Rusia ka për qëllim të mbajë rreth 500 trupa në disa pika kontrolli në zonat e sigurisë përreth Osetisë Jugore.

Zoti Xhondroe tha se Rusia po e thyen zotimin për t’u tërhequr në pozicionet që mbante para se të fillonte konflikti.

"Rusët duhet ti mbajnë zotimet e tyre. Ata u zotuan se do të tërhiqen dhe ne presim që ata ta bëjnë këtë".

Rusia po premton se do ta përfundojë tërheqjen deri të premten. Zëdhënësi i Pentagonit Brian Whitman tha se lëvizjet e trupave ruse janë shumë minimale dhe nuk ka fakte të një tërheqjeje të dukshme. Presidenti Xhorxh Bush tha se Osetia jugore dhe Abkazia janë pjesë e Gjeorgjisë e njohur ndërkombëtarisht dhe Rusia nuk duhet të ketë pretendime ndaj territorit të saj.

Ministri i jashtëm rus Lavrov javën e kaluar tha se Gjeorgjia duhet të heq dorë nga rajonet separatiste të Osetisë jugore dhe Abkazisë, ndërkohë që presidenti rus Medvedev takohej me udhëheqësit e këtyre rajoneve.

Dhoma e Lartë e parlamentit rus pritet të fillojë të hënën debatin për njohjen e pavarësisë së këtyre dy rajoneve separatiste.

//rd//

XS
SM
MD
LG