Lidhje

Ndryshimi i strukturës së popullatës në SHBA


Zyra amerikane për regjistrimin e popullsisë parashikon që deri në vitin 2042 popullata pakicë në Shtetet e Bashkuara do të bëhet shumicë. Latino-amerikanët të cilët tani përbëjnë 15 përqind, pritet që deri atëhere të dyfishohen. Parashikimet vlerësojnë se popullata amerikane do të bëhet etnikisht më e përzier dhe më e plakur.

Në qytetin Shën Xhozef të shtetit Mizuri, latinoamerikanët së shpejti mund të bëhen popullatë shumicë. Koni Bonebrejk është infermiere në Deparamentin e Shëndetsisë së këtij rajoni.” Ne e shohim këtë duke pasur paraysh numrin e njerëzve të cilëve u shërbejmë çdo ditë."

Zyra amerikane e regjistrimit të popullatës tregon se ndërmjet viteve 2006 dhe 2007, popullata latimoamerikane në këtë rajon u shtua rreth 25 përqind.

Lusi Timermen u vendos në qytetin Shën Xhozef para tri vitesh. Ajo hapi një biznes të vetin dhe thotë se mund ta shohë ndryshimin e strukturës së popullatës çdo ditë.” Mendoj se latinoamerikanë janë këtu për të qëndruar. Do të shohim një shtim edhe më të madh të tyre."

Kjo prirje mund të shihet në çdo pjesë të vendit. Zyra e regjistrimit të popullatës thotë se pakicat që tani përbëjnë një të tretën e popullatës, deri në vitin 2042 do të bëhen shumicë.

Deri në vitin 2050 pakicat, përfshirë këtu afrikano-amerikanët, latinoamerikanët dhe aziatikët, do të përbëjnë 54 përqind të popullatës. Latinoamerikanët për shkak të emigracionit dhe numrit të lartë të lindjeve do të përbëjnë 30 përqind.

62 përqind e fëmijëve të vendit do të jenë nga grupet e pakicave. Lauren Guzik nga Los Anxhelesi thotë se nuk shqetësohet nga fakti që do të jetë së shpejti pakicë.” Nuk e dija këtë por kjo nuk më shqetëson. Unë kam jetuar në Los Anxheles gjithë kohën dhe jam mësuar me jetën në një popullatë të përzier."

Zyra e regjistrimit parashikon gjithashtu se popullata po plaket. Deri në vitin 2050 njerëzit mbi 65 vjeç do të përbëjnë 88 milion, rreth 20 përqind të popullatës. Ekspertët thonë se historikisht për të absorbuar ndryshimet, duhet të kalojë një brez i tërë.

Pra do të duhen disa vjet që emigrantët të kenë më pak nevojë për shërbimet sociale të qeverisë dhe të fillojnë të luajnë role drejtuese në qytetet e tyre. Ja ç’thotë demografi Uilliam Frej.” Në vende si Los Anxhelesi, ku latinoamerikanët tanimë jetojnë për një kohë të gjatë, ata kanë një ndikim të madh në politikën e qytetit. Kryetari i bashkisë së qytetit është latinoamerikan si rezultat i këtij ndikimi."

Edhe qytete të tjera mund të shohin një ndryshim të tillë së shpejti. Të tillë janë Skrantoni i Pensilvanisë, apo Las Vegasi dhe Denveri.” Kur shohim popullatën e re sot, mund t’i vërejmë këto prirje shumë qartë. Pas 10, 20 vitesh kjo do të shihet në mbarë Amerikën."

Nëse kjo prirje vazhdon, Shtetet e Bashkuara do të bëhen një vend etnikish i përzier dhe latinoamerikanët do të jenë grupi dominues.//IB

XS
SM
MD
LG