Lidhje

Roli i kuvendeve të partive në Shtetet e Bashkuara


Emërimi i kandidatit të secilës parti në kuvendet partiake hap zyrtarisht sezonin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Kuvendet organizohen për të forcuar unitetin e partisë dhe për të bashkuar anëtarët në mbështetje të kandidatit për Shtëpinë e Bardhë:

Kuvendet partiake janë një realizim madhor i ngjashëm me një shfaqje madhështore teatrale. Çdo fjalë, çdo lëvizje kryhet në bazë të një skenari të hollësishëm në mënyrë që kandidati për President të prezantohet sa më mirë për publikun:

Ky është një proces i qartë që ndiqet si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët. Sfida e realizimit të një kuvendi të suksesshëm fillon me vendet që u caktohen delegacioneve nga çdo shtet. Më pas kuvendi përqendrohet në hartimin dhe miratimin e platformës së partisë. Brian Darling analist pranë Fondacionit Heritage, shpjegon:

"Platformat parashtrojnë qëndrimin e secilës parti për çështje si aborti, kontrolli i armëve, lufta në Irak, tema të ndryshme të politikës së jashtme, apo çështje ekonomike si kriza në tregun e shtëpive dhe çmimet e naftës. Çdo temë që do të parashtrojë kandidati,do të jetë në këtë platformë".

Hapi i tretë është të emërohen kandidatët për president. Në Kuvendin Demokratik të vitit 2000, aktori Tommy Lee Jones emëroi kandidatin për President Al Gore:

Me admirim dhe besim në të ardhmen që ai do të udhëheqë, emëroj mikun tim Al Gore si President të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara.

Pas emërimit të kandidatëve presidencialë, shtetet ftohen në mënyrë alfabetike të deklarojnë votën e tyre.

Gjatë zgjedhjeve paraprake, kandidatët sigurojnë në bazë të votave që marrin nga popullata, delegatë që do të votojnë për ta në kuvend. Ndryshe nga republikanët, të cilët bazohen në sistemin “Fituesi merr të gjitha votat e shtetit,” këtu në kuvendin demokrat funksionon sistemi proporcional. Votat përkatëse numërohen dhe kushdo që ka numrin më të madh të votave siguron emërimin e partisë.

Në ditën e fundit të kuvendit, kandidati i sapo-emëruar jep fjalimin ku deklaron se pranon emërimin. Në kuvendin e fundit, Xhon Keri e lidhi fjalimin e tij me shërbimin e tij ushtarak në Vietnam: "Jam Xhon Keri dhe po raportoj për shërbim".

Fjalimi i kandidatit synon të mobilizojë partinë dhe të tërheqë votuesit e lëkundur:
"Republikanët thonë se ekonomia është më mirë se kurrë. Ata thonë se të gjithë ata që nuk mendojnë kështu, janë pesimistë. Por unë do të thosha se s’ka deklaratë më pesimiste se të thuash që Amerika nuk mund të jetë më mirë".


Në fund të fjalimit, kandidati presidencial dhe kandidati i tij për nën- president, dalin në skenë së bashku.

Por asnjë kuvend nuk mund të konsiderohet i plotë pa spektaklin madhështor me tullumbace e letra shumë-ngjyrëshe që u jep fund ceremonive. //rd//

XS
SM
MD
LG