Lidhje

Karter: Obama mund t'i bëjë realitet ndryshimet e premtuara


Ish presidenti demokrat, Xhimi Karter, megjithëse është larguar nga Shtëpia e Bardhë para gati 30 vjetësh, vazhdon të jetë aktiv, me punën e tij në ndihmë të të varfërve nëpër botë. Ai është gjithashtu aktiv në politikë, duke mbështetur gjithnjë politikat e Partisë Demokrate dhe këtë vit kandidatin e saj presidencial, Barak Obama. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish presidenti amerikan thotë se fitorja e senatorit Obama në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, do të përbënte ndoshta fundin e dallimeve racore në Shtetet e Bashkuara.

Ish presidenti Karter tha se edhe ai, si senatori Obama, e bazoi fushatën e tij në një platformë për ndryshime. Zoti Karter thotë se ndryshe nga fushata e senatorit Obama, fushata e tij nuk kishte fonde. Ish presidenti amerikan thotë se zoti Obama mund të bëjë realitet ndryshimet, që ai ka premtuar gjatë fushatës.

"Ndryshimi i ligjeve kërkon miratimin e kongresit, por presidenti ka autoritet të madh. Për shembull, kushtetuta më dha mua të drejtën të vendosja marrëdhënie diplomatike me vende të tjera dhe kongresi nuk mund të më ndalonte. Si rezultat ne vendosëm marrëdhënie diplomatike me Kinën pas një periudhe 35 vjeçare. Senatori Obama mund të bëjë të njëjtën gjë". - tha ish presidenti Karter

Senatori Obama ka entuziazmuar një segment të popullsisë amerikane, që në përgjithësi distancohet nga politika, të rinjtë, kryesisht ata që votojnë për herë të parë në zgjedhjet presidenciale.

Zoti Karter tha se senatori Obama, nëse zgjidhet president, ka autoritetin të ndryshojë imazhin e Amerikës, jo brenda ditësh apo javësh, por brënda disa minutash.

"Në fjalimin e tij të përurimit, zoti Obama mund të shpallë se në presidencën e tij Shtetet e Bashkuara nuk do të torturojnë më as edhe një të burgosur të vetëm, se nuk do t'i hapin luftë një vendi tjetër, nëse siguria jonë nuk kërcënohet drejtëpërdrejtë, se Shtetet e Bashkuara do të jenë kampionë të të drejtave të njeriut dhe në krye të përpjekjeve për mbrojtjen e mjedisit në gjithë botën". - tha ai

Senatori Obama ka qënë një kritik i ashpër i presidentit Bush dhe administratës së tij, veçanërisht për luftën në Irak. Por mungesa e përvojës së senatorit Obama në politikën e jashtme është vënë në pikpyetje që në fillim të kandidaturës së tij, duke filluar me rivalët e tij demokratë, veçanërisht nga ish rivalja e tij e fortë, senatorja Hillari Klinton, e tani nga rivali i tij republikan, senatori Xhon Mekein. Vetëm dy ditë para fillimit të kuvendit të partisë, senatori Obama shpalli kandidatin për nën-president, senatorin Xho Bajdën, i cili shikohet si një pikë e fortë e kandidaturës Obama-Bajdën në politikën e jashtme.

Konflikti i kohëve të fundit në Gjeorgji ka bërë që të ringjallen kritikat për mungesën e përvojës së senatorit Obama në politikën e jashtme. Ish presidenti amerikan, Xhimi Karter, thotë se ndaj Moskës nuk duhet ushtruar presion.

"Mendoj se ne duhet të jemi të kujdeshëm, dhe këtu unë nuk po mbroj Rusinë, por nëse shtojmë presionin ndaj Moskës, shtohet mundësia që ai vend të reagojë në një mënyrë të papërshtatshme. Shpresoj të angazhohemi në përpjekje diplomatike, të mbrojmë të drejtat për liri të popujve të rajonit, dhe në të njëjtën kohë të mos e vëmë Rusinë në pozitë të vështirë, duke e detyruar të përgjigjet në një formë katastrofike". - tha ai

Ish presidenti Karter mbështet përpjekjet për rivendosjen e marrëdhënieve normale me Kubën, të cilat ai i shikon si hap në drejtimin e duhur që të dy vendet të zhvillojnë turizmin dhe tregëtinë mes tyre.

Nëse zgjidhet president, Barak Obama do të jetë presidenti i parë afrikano-amerikan në Shtetet e Bashkuara. Zoti Karter thotë se zgjedhja e Barak Obamës president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, do të përbëjë një hap të madh për vendin drejt zhdukjes së racizmit në Shtetet e Bashkuara.

"Mendoj se zoti Obama ka treguar me fjalët dhe veprat e tij, madje me elokuencën e tij, atë që mund të jetë fundi i një stigme afat gjatë, që nga viti 1865. Fakti që ai fitoi në zgjedhjet paraprake në disa shtete përkundrejt dy kandidatëve të njohur të racës së bardhë, Hillari Klinton dhe Xhon Eduards, mund të tregojë se gjurmët e fundit të racizmit dhe dallimeve racore në Shtetet e Bashkuara po shuhen". - tha ai // mm//

XS
SM
MD
LG