Lidhje

Mekejn zgjedh Guvernatoren e Alaskës Peilin si kandidate për zëvendëspresidente


Senatori republican Xhon Mekein ka zgjedhur guvernatoren e Alaskës, Sara Pejlin si kandidate për postin e zëvendëspresidentit në zgjedhjet e nëntorit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brajan Uagner, na informon se zgjedhja e zonjës Pejlin forcon mesazhin e Senatorit Mekein për reforma.

Senatori Mekein zgjodhi Guvernatoren Sara Pajlin si partneren e tij në garën për në Shtëpinë e Bardhë, vetëm disa orë pas përfundimit të Kuvendit kombëtar të Partisë Demokrate në Denver të Kolorados. Senatori Mekein e shpalli zgjedhjen e tij gjatë një mitingu në Ohajo dhe menjëherë largoi vemendjen nga Kuvendi i demokratëve dhe fjalimi i Senatorit Barak Obama të enjten në mbërmje, duke e përqendruar atë në Kuvendin e Partisë Republikane, që hapet javën e ardhëshme.

Senatori Mekein tha se e zgjodhi Guvernatoren e Alaskës pas një shqyrtimi të vemendshëm dhe të gjatë për të gjetur dikë që do të sillte ndryshime në Uashington dhe do ta ndihmonte për ta rikthyer vendin në rrugën e begatisë dhe paqes.

"Unë kam gjetur partnerin e përshtatshëm për të më ndihmuar që t'u kundërvihem atyre që vlerësojnë më shumë privilegjet e tyre se sa përgjegjësitë, atyre që vënë pushtetin para parimeve dhe që vënë interesat e tyre para nevojave tuaja".

Senatori Mekein vuri në dukje se Guvernatorja Pejlin është relativisht e re në politikë dhe nuk ka shërbyer kurrë në Uashington. Ai e vlerëzoi zonjën Pejlin për punën që ka bërë në Alaskë, ku ka shërbyer si kryetare bashkie dhe komisionere e shtetit, dhe më pas u zgjodh guvernantore në vitin 2006.

Guvernatorja Pejlin tha se ishte krenare të pranonte ftesën që i bëri Senatori Mekein për të qënë partnerja e tij në zgjedhjet e përgjithëshme të nëntorit. Ajo tha se rezultatet e saj në Alaskë tregojnë se ajo është e angazhuar për reforma, si ulja e taksave dhe lufta kundër korrupsionit.

"Politika nuk është një lojë interesash konkurruese dhe përplasjesh partish. Populli amerikan pret nga ne që të kërkojmë për poste publike dhe të shërbejmë për qëllime pozitive".

Zonja Pejlin është gruaja e parë dhe personi më i ri që është zgjedhur në postin e guvernatorit të Alaskës, një shtet i madh dhe i largët, i pasur me naftë dhe gaz. Si guvernatore, 44-vjeçarja Pejlin tha se ka shfrytëzuar fitimet e nxjerra nga çmimet e larta të naftës për të financuar projekte të reja energjetike në Alaskë.

"Ne po fillojmë tani një projekt 40 miliardë dollarësh për gazin natyror që do të ndihmonte për ta çuar Amerikën drejt pavarësisë ekonomike".

Senatori Mekein e ka përqendruar fushatën e tij në gjetjen e zgjedhjeve të reja për sigurimin e energjisë si dhe për mbështetjen e fushishme ushtarake të luftës në Irak. Zonja Pejlin tha se djali i saj është regjistruar në ushtri dhe do të vendoset sëshpejti në rajon.

"Më 11 shtator, Traku do të vendoset në Irak për t'i shërbyer vendit të tij. Tadi dhe unë jemi shumë krenarë për të dhe për gjithë burrat dhe gratë e mrekullueshëm që janë në shërbim të vendit".

Guvernatorja Pejlin shkoi dje nga Alaska në Ohajo sëbashku me të shoqin, Tadin, dhe katër nga pesë fëmijët e tyre.

Ndërkaq, një zëdhënës i Senatorit Barak Obama, kanidatit demokrat për president, kritikoi Senatorin Mekein për zgjedhjen si partnere të një kryetareje bashkike të një qyteti të vogël pa përvojë në politikën e jashtëme. Por vetë Senatori Obama i telefonoi më vonë zonjës Pejlin për ta uruar dhe u tha gazetarëve se ajo është një zgjedhje e admirueshme.

Disa analistë politikë thonë se zonja Pejlin, e cila është kundër abortit dhe kundër martesës së homoseksualëve, dhe që mbështet të drejtën për të mbajtur armë, mund ta ndihmojë Senatorin Mekein të fitojë votat e evangjelistëve të krishterë dhe të konservatorëve socialë. Ajo mund ta ndihmojë gjithashtu zotin Mekein të tërheqë votat e grave, që sipas anketave, favorizojnë Senatorin Obama.

Por vëzhgues të tjerë thonë se zgjedhja e një politikaneje relativisht të panjohut në skenën kombëtare është e rrezikëshme. Megjithëse Guvernatorja Pejlin është e mirënjohur në shtetin e saj për goditjen e korrupsionit në industrinë e naftës, ajo mbështet shtimin e çpimeve për naftë dhe gaz, dhe i shoqi i saj punon për gjigandin energjetik BP.//iç//

XS
SM
MD
LG