Lidhje

A do të votojnë gratë amerikane për republikanët pas përzgjedhjes së guvernatores Pejlin?


Kandidati presidencial i Partisë Republikane, senatori Xhon Mekejn befasoi shumë analistë dje me zgjedhjen e guvernatores së Alaskës Sarah Pejlin për kandidate për nënpresidente. 44 vjeçarja Pejlin, e cila u zgjodh në postin e guvernatores së Alaskës para dy vitesh, paraqitet si një reformuese e fuqishme e cila kundërshton grupet e interesave.


Senatori Xhon Mekejn emëroi kandidaten për postin e nënpresidentes një person shumë pak të njohur dhe me pervojë të kufizuar." Miq dhe bashkshtetas të mi. Jam i lumtur dhe i nderuar që t'iu prezantoj nënpresidenten e ardhshme të Shteteve të Bashkuara, guvernatoren e shtetit të Alaskës, zonjën Sarah Palin."

44 vjeçarja Pejlin u zgjodh në postin e guvernatores së Alaskës para më pak se dy vitesh. Para kësaj ajo shërbeu si kryetare e bashkisë së qytetit më të madh të Alaskës Ankorixh.

Por megjithë mungesën e eksperiencës në nivel të qeverisë qendrore, senatori Mekejn thotë se zonja Pejlin është shumë e rëndësishme për fushatën e tij." Guvernatorja Pejlin është tamam ajo që më duhet, që i duhet vendit tonë, për të më ndihmuar të luftojmë politikat e vjetra të Washingtonit të cilat e vënë interesin e vet para interesit të vendit."

Guvernatorja Pejlin i tha një grupi përkrahësish në qytetin Dejton të Ohajos se ajo ka pervojë për të shtyrë përpara reformat dhe nevojat e njerëzve." Si guvernatore, unë jam ngritur kundër politikave tradicionale, kundër interesave speciale, kundër lobistëve, kundër kompanive të naftës."

Senatori Mekejn vazhdimisht e ka paraqitur kundërshtarin e tij si nje person që nuk ka përvojën e duhur për Shtëpinë e Bardhë. Kryeredaktori i gazetës Politico, Dejvid Mark thotë se fushata e zotit Mekejn nuk duket shumë e shqetësuar me dobësitë që mund të sjell guvernatorja Pejlin." Padyshim është pak qesharake që të kritikosh dikë për mungesë pervoje dhe pastaj të zgjedhësh dikënd që ka edhe më pak pervojë se senatori Obama por mendoj se kjo është një sfidë me të cilën senatori Mekejn dhe këshilltarët e tij janë të gatshëm të përballen. Ata mendojnë se përparësitë janë më të mëdha se mangësitë."

Edhe historiani i njohur Alan Lihtman mendon se zgjedhja e guvernatores Pejlin e ndihmon fushatën e zotit Mekejn por njëkohësisht sjell edhe sfida."Zgjedhja e guvernatores Pejlin ka pluse dhe minuse. Cila është ana pozitive? Pikë së pari ajo është femër. Ndërsa ana negative është se ajo nuk ka pervojë në politikën qendrore të vendit dhe në arenën ndërkombëtare."

Një mendim të tillë ka edhe zoti Mark i gazetës Politiko."Është e qartë se senatori Mekejn po përpiqet të tërheq shumë përkrahës që votuan në zgjedhjet paraprake për senatoren Klinton. Në rradhë të parë ai po mundohet të tërheqë votueset femra."

Në fakt gjatë paraqitjes së saj në Dejton të Ohajos, guvernatorja Pejlin e bëri këtë shumë të qartë. "Me shumë të drejtë u tha këtë javë në kuvendin e partisë demokrate në Denver se senatorja Klinton la 18 milion të çara në tavanin prej xhami mbi kokat e grave në Shtetet e Bashkuara. Por siç po e shihni, femrat amerikane nuk e kanë thënë fjalën e tyre të fundit dhe ne do të mund ta thyejmë atë xham plotësisht njëherë e përgjithmonë."

Një arsye tjetër e zgjedhjes së saj nga zoti Mekejn sipas analistëve është edhe përkrahja që guvernatorja Palin ka treguar për zhvillimin e politikave të energjisë, përfshirë shpimet në det jo vetëm në Alaskë por edhe në bregdetin perendimor dhe në Gjirin e Meksikës. Zoti Mekejn e ka vënë rritjen e prodhimit të naftës në qendër të fushatës së tij.

Edhe pse e panjohur nga publiku, përzgjedhja e guvernatorës Palin u prit me interes nga publiku.

"Është një përzgjedhje shumë interesante. Nuk do ta kisha parashikuar por mendoj se kjo do të bëj një ndryshim në këto zgjedhje."

"Siç duket të gjithë e pëlqejnë atë se ajo ka arritur shumë vetëm me punën e saj. Mendoj se ishte një përzgjedhje shumë e mirë nga ana e senatorit Mekejn," thonë disa qytetarë.

Qytetarët amerikanë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, pa marrë parasysh se kë do të zgjedhin, vota e tyre do të jetë historike. Ata ose do të zgjedhin afrikano-amerikanin apo femrën e parë në histori.//IB

XS
SM
MD
LG