Lidhje

Kandidatët për president bëjnë fushatë në shtete të rëndësishme


Në Shtetet e Bashkuara, kandidatët për President po përpiqen të bëjnë për vete votuesit me kandidatët që kanë zgjedhur për nënpresident, pas një jave me rëndësi historike në politikën amerikane.

Kandidati republikan, senatori Xhon Mekein do të bëjë fushatë në Pensilvani sot me kandidaten për nënpresidente, Sarah Peilin, guvernatore e Alaskës. Zoti Mekein e deklaroi dje kandidaturën e politikanes relativisht të panjohur e cila bëhet kështu e para grua kandidate për nënpresidente në partinë republikane.

Demokrati Barak Obama u bë të enjten i pari afrikano-amerikan që merr emërimin e njërës prej partive kryesore për postin e presidentit. Senatori Obama po bën fushatë me kandidatin për nënpresident, senatorin e Delauerës, Xho Bajden. Ata do të mbajnë një tubim sot në shtetin e Ohajos.

Organizata e sondazheve Gallup thotë se senatori Obama ka siguruar një epërsi prej tetë përqind ndaj rivalit të tij pas Kuvendit të Demokratëve, ndërkohë që para kësaj ngjarjeve ata ishin në pozita thuajse të barabarta.

Kuvendi Kombëtar i Republikanëve pritet të fillojë javën e ardhshme në Seint Pol të Minesotës.//kk//

XS
SM
MD
LG