Lidhje

Nis nesër punimet kuvendi i partisë republikane


Rreth 45 mijë delegatë të partisë republikane dhe simpatizues të saj, si dhe shumë vizitorë dhe gazetarë do të mblidhen në qytetin e Mineapolisit për kuvendin e Partisë Republikane. Gjatë këtij kuvendi partia republikane do të emërojë zyrtarisht senatorin Xhon Mekejn si kandidat të kësaj partie për president. Ai do të pëballet me senatorin Barak Obama në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. Por edhe pse kuvendi pritet të fillojë nesër, zyrtarë të partisë republikane thonë se ai mund të shtyhet nëse uragani Gustav godet Luizianën në fillim të javës.

Partia republikane do të emërojë senatorin Xhon Mekejn si kandidat presidencial në qendrën sportive Eksel në qytetin St. Paul, të Minesotës. Kuvendet e partive tani janë bërë ngjarje spektakolare shumë të bujshme.

Në ditët e sotme, kuvendet përgatiten për shikuesit televizivë. Ato janë një paradë pamjesh dhe folësish që theksojnë fuqinë e kandidatit.

Kandidati i sivjetshëm ka shërbyer në kongresin amerikan për 25 vjet dhe është një ish i burgosur i luftës në Vietnam. Ai shpesh përmend përvojën e tij në çështje të sigurisë kombëtare. David Mark është redaktor i faqes elektronike "Politico.com". Ai thotë se republikanët pritet të flasin shumë rreth rreziqeve ndaj vendit në kuvendin tyre.

" Mendoj se konflikti ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë do të përmendet shumë si një shembull se me çfarë sfidash do të ndeshet presidenti i ardhshëm." - thotë ai

Gruaja e senatorit Mekejn, Cindy shkoi në Gjeorgji për të vizituar njerëzit që janë larguar nga shtëpitë e tyre nga sulmi i ushtrisë ruse, ndërkohë që në Denver mbahej kuvendi i demokratëve.

'E di se një ndër pyetjet tuaja është nëse kjo vizitë u bë me qëllim gjatë kohës që po mbahej kuvendi demokrat. Përgjigja është jo, por nuk kam mund të shkoj më përpara"- thotë ajo

Zonja Mekejn do të flasë në kuvendin e partisë republikane të mërkurën mbrëma.

Kandidatja për nënpresidente, guvernatorja Sara Pejlin do të flasë po ashtu të mërkurën.

Por këto fjalime janë vetëm parapërgatitje për momentin më të rëndësishëm të kuvendit,kur kandidati mban fjalimin në të cilin ai e pranon emërimin e partisë së tij. Ky ishte fjalimi i presidentit Bush para katër vitesh, i cili gjithashtu pritet të flasë në këtë kuvend.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, tullumbace me tri ngjyra do të mbyllin natën e fundit të kuvendit dhe do të fillojë fushata për zgjedhjet e përgjithshme ndërmjet senatorëve Mekejn dhe Obama. //mm//

XS
SM
MD
LG