Lidhje

Shtetet amerikane të Gjirit të Meksikës pritet të goditen sot nga Uragani Gustav


Qyteti i Nju Orleansit, në shtetin e Luizianës, zonë metropolitane me rreth 1 milion banorë, është duke u përgatitur për mbërritjen sot të uraganit Gustav, i cili mund të jetë po aq shkatërrues sa uragani Katrina, i cili 3 vjet më parë shkaktoi përmbytje të pjesës më të madhe të qytetit dhe vdekjen e të paktën 1400 vetëve.

Në rrugën Burbon në zonën e njohur franceze, rrugët janë pa njerëz. Shumica e turistëve dhe e banorëve i janë përgjigjur paralajmërimeve për evakuim. Jashtë një hoteli me 5 yje, marangozi Beni Mendell ishte duke mbuluar dritaret me kompesatë.

"Duket t'i vëmë këto kompesata në të gjithë ndërtesën, thotë ai. Ende na kanë mbetur dhe 500 dhoma me rreth katër dritare secila për t'u mbuluar".

Por dje në mbrëmje, zyrtarët e qytetit të Nju Orleansit dhe të shtetit të Luizianës ishin të kënaqur me ecurinë e evakuimit. Kryetari i Bashkisë së qytetit, Rei Nagin, tha se një stuhi e madhe dhe e keqe është duke u afruar. Vandalët, tha ai, do të shkojnë drejt e në burg.

Të paktën 15 mijë vetë janë larguar nga Nju Orleansi me autobuzë ose me trena. Dhjetra mijëra të tjerë janë larguar me makinat e tyre, duke mbushur të gjitha rrugët që shkojnë në perëndim, në lindje dhe në veri të qytetit.

Ndërkohë që stuhia afrohet, ekziston një shqetësim për shumë platforma nafte në ujërat e Gjirit të Meksikës. Importi i karburantit nëpërmjet Gjirit është anulluar.

Kevin Kolover, në Departamentin e Energjisë së Shteteve të Bashkuara tha se ekziston edhe shqetësimi për rreth 32 rafineritë e naftës që ndodhen përgjatë brigjeve të Luizianës dhe Teksasit.

"Deri tani, jemi duke parë që këto rafineri, të cilat ndodhen pranë brigjeve, në të vërtetë përgjatë zonave të Lumit Misisipi dhe Liqenit Çarls, janë duke u mbyllur. Ato më në veri, shumica të kompanisë Ekson – Mobil në qytetin e Baton Ruzhit, vazhdojnë përpunimin".

Forca policore dhe ushtarake ndodhen në këtë zonë. Guvernatori i Luizianës, Bobi Xhindëll, e ka deklaruar shtetin një zonë të goditur nga fatkeqësia. Por deri më tani evakuimi ka vazhduar qetësisht, pa tensione dhe vonesa, siç ndodhi me Uraganin Katrina në vitin 2005.

Sekretari i Sigurimit Kombëtar, Majkëll Çertof, i cili ndodhej dje në Luiziana, tha se qeveria mori masa menjëherë pas uraganit Katrina për të përballuar një stuhi të ngjashme në të ardhmen. Agjencia Federale për Menexhimin e Situatave Emergjente ka dërguar ngarkesa me furnizime në 15 qendra të ngritura për të përballuar gjendjen në raste të tilla. Po ashtu janë në gatishmëri 18 ekipe të kërkimit dhe shpëtimit.

Ndërkohë, Partia Republikane ndryshoi programin e Kuvendit të saj Kombëtar për shkak të uraganit Gustav. Hapja e Kuvendit Kombëtar Republikan, e planifikuar për sot, do të bëhet disa orë pas mbërritjes në brigjet amerikane të uraganit Gustav.

Tashmë, shumica e fjalimeve të mbasdites janë anulluar, duke përfshirë fjalimin e Presidentit Bush dhe të Zv. Presidentit Çeni. Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti dhe Zv. Presidenti nuk do të marrin pjesë në Kuvend, duke thënë se ata duhet të përqendrohen plotësisht tek uragani dhe dëmet e mëdha që mund të shkaktohen prej tij.

Zoti Bush do të shkojë në Teksas për t'u takuar me punonjësit e ndërhyrjes emergjente dhe të evakuarit nga Luiziana, ku mendohet se uragani do të ketë forcën më të madhe. Administrata e Presidenti Bush u kritikua ashpër për mënyrën se si organizoi parapërgatijet për uraganin Katrina 3 vjet me parë.

Senatori i Arizonës, Xhon Mekein, i cili pritet që nga fundi i javës të pranojë emërimin e Partisë Republikane të kandidatit për President, sipas manaxherit të fushatës elektorale, Rik Dejvis, ka mundësi që të mbajë fjalimin e tij të mirënjohjes në Kuvend nëpërmjet satelitit nga një vend diku në këtë zonë.

Zoti Mekein foli për ndërprerjen e Kuvendit në programin televiziv "Lajmet e së Dielës në Fox", në kanalin Fox News.

"Nuk është mirë të festojmë kur një tragjedi e mundëshme ose një sfidë e tmerrshme po afrohet në formën e një fatkeqësie natyrore, të cilën jemi duke e vëzhguar nga dita në ditë dhe për të cilën gjithashtu unë jam duke u falur".

Dje, zoti Mekein vizitoi qendrën e operacioneve të ndërhyrjeve emergjente në shtetin e Misisipit, i cili kufizohet me Luizianën. Duke folur me gazetarët, ai tha se ata që do të shkojnë në kuvend, "do të veprojnë si amerikanë dhe jo si republikanë, sepse Amerika ka tani nevojë për ne".

"Padyshim, ky është moment kur ne duhet t'i largohemi politikës partiake dhe të veprojmë si amerikanë. Ne duhet t'u bashkohemi 300 milion amerikanëve të tjerë në mbështetje të bashkëqytetarëve tanë".

Kundërshtari i tij, Senatori Basrak Obama ka premtuar mobilizimin e mbështetësve të tij për të ndihmuar viktimat e uraganit. //iç//

XS
SM
MD
LG