Lidhje

BE diskuton sot krizën  mes Rusisë dhe Gjeorgjisë


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian mblidhen sot në Bruksel për takimin e tyre të nivelit të lartë për të përcaktuar se si t'i përgjigjen krizës mes Rusisë dhe Gjeorgjisë dhe çfarë masash do të marrë BE-ja kundër Moskës pasi ajo njohu pavarësinë e rajoneve separatiste gjeorgjiane të Osetisë Jugore dhe Abkazisë.

Në shumë aspekte, masat që mund të marrë Bashkimi Evropian ndaj Moskës janë të kufizuara. Shumë vende të Bashkimit Evropian varren nga gazi që marrin nga Rusia.

Blloku prej 27 vendesh është i ndarë për natyrën e masave kundër Rusisë dhe sa të rrepta duhet të jenë ato, pas njohjes prej saj të republikave separatiste të Osetisë Jugore dhe Abkazisë dhe refuzmit rus për t'u tërhequr nga Gjeorgjia pas përplasjeve mes Moskës dhe Tbilisit në muajin gusht.

Javën e kaluar, Bernard Kushner, ministri i Jashtëm i Francës, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, hodhi idenë e sanksioneve të mundëshme të BE-së ndaj Moskës. Por më pas Franca u tërhoq dhe e përjashtoi këtë ide.

Drejtori i sektorit të politikës për Rusinë dhe Kinën në Qendrën për Reformën Evropiane në Londër, Bobo Lou, e përmbledh si vijon dilemën e Bashkimit Evropian:

"Në realitet nuk ka unitet brenda Bashkimit Evropian për mënyërn se si duhet trajtuar Rusia. Dhe kur ka unitet, kjo vjen sepse Rusia ka mbajtur një qendrim shumë negativ. Por megjithëse në përgjigjësi qendrimi është unik, kur është fjala për masa konkrete kundër Rusisë, Bashkimi Evropian ka prirjen të përçahet".

Disa udhëheqës i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian të vendosë marrëdhënie të tjera me Rusinë dhe të shikojë për rrugë të reja që të shmangë varësinë tek Rusia për energji. Moska i ka bërë gjithashtu thirrje Bashkimit Evropian të dërgojë vëzhgues në Gjeorgji për të monitoruar armëpushimin mes dy palëve. Analisti Lou thotë se Evropa nuk i ka duart krejtësisht të lidhura kur është fjala për Moskën.

"Evropianët duhet të theksojnë se në qoftë se Moska do të vazhdojë në rrugën që pondjek tani, ajo do të izolohet dhe do të mbetet gjithnjë e më e pambrojtur. Megjithatë, në qoftë se Rusia fillon të tërhiqet sado pak nga pozitat e saj, atëhere Bashkimi Evropian do të ishte shumë i interesuar për marrëdhënie konstruktive me Rusinë. Për mendimin tim, ky duhet të jetë mesazhi".

Analisti Lou thotë Rusia është e preokupuar për qendrimin e komunitetit ndërkombëtar dhe në veçanti Moska ka mbetur e vetmuar dhe pa mbështetje për ndërhyrjen e saj në Gjeorgji, pasi kishte shpresuar ndryshe gjatë një takimi të nivelit të lartë, kohët e fundit, të udhëheqësve të Kinës dhe vendeve të Azisë Qendrore. //iç//

XS
SM
MD
LG