Lidhje

UNICEF-i i shqetësuar për gjendjen e grave dhe fëmijëve në Osetinë Jugore


Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët thotë se është tejet e shqetësuar për ndikimin e konfliktit në Gjeorgji tek fëmijët dhe gratë që banojnë në Osetinë Jugore. UNICEF-i ka ritheksuar thirrjen për qasje në këtë rajon.

Një zyrtare e UNICEF-it, e cila sapo është kthyer nga një mision në Gjeorgji dhe Rusi, thotë se ua ka parashtruar zyrtarëve rusë shqetësimet për mungesë qasjeje në Osetinë Jugore.

Maria Kalivis është Drejtoresha Rajonale e UNICEF-it për Evropën Lindore dhe Shtetet e Pavarura, që dikur përfshiheshin në ish-Bashkimin Sovjetik. Ajo thotë se ka theksuar para zyrtarëve se agjencia e saj është e gatshme të dërgojë ndihma jetike në Osetinë Jugore sapo të ketë mundësi të futet në rajon.

Zonja Kalivis thotë se ka marrë informata shqetësuese nga agjenci private ndihmash lidhur me gjendjen e familjeve që ndodhen në rajon:

"Disa prej tyre po u mbarojnë artikujt bazë. Siç jemi njoftuar, shoqata EMERCON po dërgon ndihma të rëndësishme për rindërtim, por këto ndihma nuk kanë arritur në të gjitha skajet e rajonit. Kjo shoqatë jo-qeveritare ka shprehur shqetësim për lëndët plasëse aktive që ndodhen në zonë dhe e ka ngritur këtë çështje edhe pranë autoriteteve lokale."

Zyrtarja e UNICEF-it thotë se kjo agjenci e OKB-së është gati të fillojë një fushatë informimi mbi rrezikun e minave sapo të ketë mundësi të futet në Osetinë Jugore.

Ajo shton se kanë filluar diskutime të nivelit të lartë dhe shpreson se së shpejti autoritetet do të lejojnë punonjësit e OKB-së të futen në rajon. Sipas zonjës Kalivis, ekspertiza e OKB-së do të jetë shumë e vlefshme për popullatën lokale:

"Kemi identifikuar nevojat e popullatës për ndihmë psiko-sociale. Po ashtu nevojitet informim mbi rrezikun nga minat. Ata kanë nevojë edhe për mjete higjeno-sanitare. Mendoj gjithashtu se një tjetër objektiv i rëndësishëm është të përgatisim fëmijët për shkollë. Siç e dimë, fillimi i shkollës krijon një farë ndjenje normaliteti për familjet dhe fëmijët."

Zonja Kalivis thotë se po bëhet një punë e madhe për të ndihmuar mijëra vetë të zhvendosur nga lufta ndërmjet Gjeorgjisë dhe Rusisë. Megjithatë, shton ajo, mbetet shumë për të bërë.

Zyrtarja e UNICEF-it thekson se niveli i stresit ndër të zhvendosurit po rritet. Këta persona, shton ajo, ballafaqohen me një të ardhme të pasigurtë dhe po kërkojnë më shumë informacion mbi zhvillimet. Ajo vë në dukje se këta persona duan të dinë kur mund të kthehen në shtëpitë e tyre, dhe nëse nuk mund të kthehen, duan të dinë se ku do të jetojnë. //ad//

XS
SM
MD
LG