Lidhje

Çeni kritikon si "të paligjshme" ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Gjeorgji


Nënpresidenti amerikan, Dik Çeni mbërriti në Ukrainë në kuadër të një turne në disa ish republika sovjetike, pas shkallëzimit të krizës me Rusinë për shkak të ndërhyrjes së Moskës në Gjeorgji. Nënpresidenti Çeni shkoi në Kiev nga Tbilisi, ku kritikoi ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Gjeorgji, duke e quajtur atë një “përpjekje të paligjshme dhe të njëanshme” për të ndryshuar me forcë kufijtë e një vendi.

Duke folur gjatë një konference shtypi në Tbilisi me presidentin gjeorgjian, Mihail Sakashvili, nënpresidenti Çeni tha se veprimet ruse në Gjeorgji ngrenë dyshime të mëdha rreth synimeve të Rusisë dhe bedueshmërisë ndaj saj si një partnere ndërkombëtare, jo vetëm në Gjeorgji, por në gjithë këtë rajon dhe në sistemin ndërkombëtar.

Zoti Çeni tha se Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me Gjeorgjinë dhe vendet e tjera të rajonit për të mbrojtur interesat dhe vlerat e përbashkëta.

“Pasi vendi juaj fitoi lirinë në Revolucionin Trëndafil, Amerika e ndihmoi këtë demokraci të re të guximshme. Ne po bëjmë përsëri të njëjtën gjë, ndërsa ju përpiqeni të kapërceni një ndërhyrje të territorit tuaj sovran dhe një përpjekje të paligjshme dhe të njëanshme për të ndryshuar me forcë kufijtë e vendit tuaj, gjë që është dënuar njëzëri nga bota e lirë”.

Gjatë udhëtimit, që po ndiqet nga afër në këtë vend të Kaukazeve, nënpresidenti amerikan e siguroi presidentin gjeorgjian, Mihail Sakashvili, se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të angazhuara që Gjeorgjia të bëhet anëtare e NATO-s.

“Amerika mbështet përpjekjet e Gjeorgjisë për t’u anëtarësuar në NATO. Shtetet e Bashkuara janë shumë të kënaqura me krijimin kohët e fundit të një komisioni NATO-Gjeorgji, ndërkohë që vendet anëtare të aleancës deklaruan në takimin e Bukureshtit se Gjeorgjia do të jetë në aleancën tonë”, tha zoti Çeni.

Udhëtimi i nënpresidentit amerikan në Gjeorgji tregon se Uashingtoni synon të ruajë marrëdhënie të ngushta me Gjeorgjinë dhe vendet fqinje të saj, edhe pas luftës së shkurtër të Rusisë me Gjeorgjinë muajin e kaluar, një demonstrim i Moskës ky se ajo nuk ka frikë të përdorë forcën ushtarake në atë që e konsideron sferë të saj të influencës.

Zoti Çeni falenderoi gjithashtu Gjeorgjinë për trupat që ka dërguar në Irak. Gjeorgjia zë vendin e tretë për nga numri i trupave që ka dërguar në operacionet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, presidenti gjeorgjian Sakashvili përsëriti angazhimin e vendit të tij për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve me rajonet separatiste të Osetisë Jugore dhe Abkazisë, të cilat Rusia i njohu si vende të pavarura.

“Gjeorgjia është një vend paqëdashës. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të shmangur dhunën, ne jemi të angazhuar për zgjidhjen paqësore të të gjitha çështjeve dhe për dialog me të gjitha palët, brënda vendit dhe me të gjitha vendet e botës”, tha presidenti Sakashvili.

Në prag të mbërritjes së zotit Çeni në Tbilisi, Shtëpia e Bardhë njoftoi një ndihmë prej 1 miliardë dollarësh për ta ndihmuar këtë vend të vogël, por strategjik të rimëkëmbet nga lufta me Rusinë.

Nënpresidenti Çeni po bën një turne një javor në Kaukaz në shenjë mbështetjeje për aleatët e Shteteve të Bashkuara në atë rajon. Dje, zoti Çeni vizitoi Azerbaixhanin, ku tha se Shtetet e Bashkuara kanë interesa të mëdha dhe të qëndrueshme tek siguria e rajonit të Kaukazeve. (ze)

XS
SM
MD
LG