Lidhje

Kandidati republikan  Mekein premton të reformojë Uashingtonin


I emëruari i Partisë Republikane për president, senatori Xhon Mekein, premtoi dje se do të luftojë rekorikën partiake në Uashington. Ish i burgosuri në luftën e Vietnamit premtoi të sjellë ndryshime në politikat e Uashingtonit. Ai pranoi emërimin e partisë së tij një javë pasi demokrati Barak Obama filloi betejën e partisë së tij për në Shtëpinë e Bardhë. Korrespondenti Jim Fry njofton nga St. Paul, i Minesotës, ku republikanët thanë se janë të bashkuar pas zotit Mekein dhe kandidates për nënpresidente, Sara Pejlin.

Fushata presidenciale e Xhon Mekeinit la pas balonat e kuqe, të bardha dhe blu në qytetin ku u zhvillua kuvendi.

Fshesat me korent pastruan tapetin e kuvendit, podiumi u ndriçua me ngjyra të ndezura dhe balonat ishin gati për ceremoninë finale të Partisë Republikane.

Kandidati doli në skenë dhe u tha delegatëve se nuk do të punojë për interesat e asnjë partie, por vetëm për ato të vendit.

“Do të kërkojë ndihmën e kujtdo për të më ndihmuar që ta çoj përpara këtë vend. Kam aftësitë dhe këtë e kam provuar gjatë gjithë jetës time. Senatori Obama nuk është në gjendje ta bëjë një gjë të tillë”.

Senatori Mekein u përmbajt nga sulmet personale ndaj kundërshtarit të tij. Ai tha se nderon arritjet e demokratëve dhe u përpoq të vinte në dukje dallimet mes tyre.

“Unë do t’i mbaj taksat të ulta dhe do t’i shkurtojë ato ku të kem mundësi. Unë do të hap tregje të reja për mallrat dhe shërbimet tona. Kundërshtari im do t’i mbyllë ato. Unë do të shkurtoj shpenzimet qeveritare. Ai do t’i rrisë".

Një pjesë e mirë e kuvendit iu kushtua jetës së zotit Mekein gjatë shërbimit ushtarak, veçanërisht kohës në burgjet e Vietnamit, dhe qëndrimit të tij për luftën në Irak kur mbështeti dërgimin e trupave shtesë.

“Luftova për strategjinë e drejtë, për më shumë trupa në Irak, kur nuk kishte mbështetje për ta bërë një gjë të tillë”.

Pas një jave sulmesh intensive ndaj kandidates për nënpresidente, Sara Pejlin, zoti Mekein u prit me duartrokitje nga delegatët kur tha se mezi pret ta prezantojë guvernatoren e Alaskës në Uashington.

“Më lejoni të bëj një paralajmërim për ata politikanë të Uashingtonit, me ide të vjetër, me shpenzime të mëdha, që s’bëjnë asgjë dhe vënë veten përpara vendit: ndryshimi po afron”.

Republikanët në sallë reaguan me entuziazëm ndaj emërimit të gruas së parë për partinë e tyre në postin e nënpresidentes dhe fjalimit të saj.

Por ndërsa shkohet drejt zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit, analisti Stuart Rothenberg, thotë se zonja Pejlin nuk është vënë ende në provë.

“Ne nuk do të dimë se si do të reagojë publiku amerikan lidhur me guvernatoren Pejlin derisa ajo të përballet me intervista me pyetje të ashpra të gazetarëve me përvojë, rreth së kaluarës së saj dhe qëndrimeve të saj për çështje të ndryshme”.

Demokratët thonë se në kuvend u fol pak për ekonominë dhe pati pak propozime specifike.

Ronald Regan i Riu, djali i presidentit të ndjerë dhe tani liberal, vuri në pikëpyetje shkurtimet që do të bëjë zoti Mekein për të pakësuar shpenzimet.

"Ai nuk është i detajuar. Në fakt ai nuk ka një plan".

Ndërsa zoti Mekein u bëri thirrje delegatëve të luftojnë për vendin dhe idealet e tyre, ai premtoi një fushatë të ashpër dhe një fitore të republikanëve në zgjedhjet e 4 nëntorit.

XS
SM
MD
LG