Lidhje

Trajkoviç: Statusi i Kosovës nuk duhet të rihapet për diskutim



Udhëheqës të serbëve të Kosovës besojnë se Misioni i Bashkimit Evropian, EULEX do të pranohet me kohë edhe nga pjesëtarët e komunitetit serbë. Nënkryetarja e Këshillit Kombëtar serb për Kosovën qendrore, Rada Trajkoviq, i tha Zërit të Amerikës se në një dialog të mundshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk do të përfshihej çështja e statusit politik të Kosovës, por do të duhej biseduar për problemet thelbësore me të cilat përballen qytetarët serbë në Kosovë dhe po ashtu edhe qytetarët shqiptarë.

Nënkryetarja e Këshillit Kombëtar serb për Kosovën qendrore Rada Trajkoviç, beson se Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, i njohur si EULEX do të pranohet me kohë edhe nga pjesëtarët e komunitetit serb. Ajo beson se një dialog i mundshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ku nuk do të përfshihej çështja e statusit politik të Kosovës, do të shtendoste marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. Në një bisedë për Zërin e Amerikës, zonja Trajkoviç thotë se qytetarët serbë i kanë varur shpresat e tyre tek Beogradi, sepse Prishtina për dhjetë vjet me radhë nuk ka gjetur mënyrën për t'i pranuar ata si qytetar të Kosovës. Kjo, sipas saj, është arsyeja, që në Kosovë kanë mbetur vetëm rreth 30 për qind e qytetarëve serb që kanë jetuar para vitit 1999. Ajo thotë se Beogradi ka paguar një çmim për sjelljen e Millosheviçit dhe papërgjegjshmërinë e tij ndaj popullatës shqiptare, por sipas saj, edhe Prishtina duhet ta paguaj çmimin për papërgjegjshmërinë e udhëheqësve të saj ndaj serbëve në 10 vjetët e fundit.

"Problemi ynë thelbësor është se Kosova është bërë e pavarur dhe është njohur nga shtete shumë relevante në botë. Ajo ka në të vërtetë një pavarësi shumë të varur. Varësi kjo ndaj mekanizmave ndërkombëtar si KFOR-i i cili mbron sigurinë dhe Bashkimi Evropian ose vendet perëndimore me një përkrahje të mirë financiare", thotë zonja Trajkoviç duke shtuar se serbët në Kosovë, si dhe udhëheqësit institucional në Beograd nuk do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, ajo thotë se është e nevojshme që serbët të vazhdojnë të mbesin në këtë vend, por, institucionet e Kosovës duhet të punojnë më tepër në përmirësimin e kushteve të jetës, jo vetëm për qytetarët serb, siç thotë ajo, por edhe për vet qytetarët shqiptarë. Në këtë kuadër, duhet të zhvillohen edhe bisedimet e reja Prishtinë Beograd sipas planit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, thotë zonja Trajkoviç.

"Unë do të isha shumë e lumtur që të takoheshin Beogradi dhe Prishtina. Megjithatë, është normale që Beogradi të dalë me qëndrimin se kurrë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe normalisht që edhe përfaqësuesit e Prishtinës do të dalin me qëndrimin se Kosova kurrë më nuk do të jetë nën udhëheqjen e Beogradit. Por, këto deklarime politike mund të mbesin anash. Ka shumë probleme, jo vetëm të qytetarëve serbë por edhe i atyre shqiptarë në të cilat palët do të duhet të përqendroheshin për të biseduar", thotë zonja Trajkoviç duke përmendur mes të tjerash edhe bashkëpunimin në fushat e ekonomisë dhe energjetikës.

Zonja Trajkoviç mendon se bisedimet Prishtinë - Beograd për zgjidhjen e, siç është thënë, çështjeve të interesit të përbashkët të të dyja vendeve, do të ndihmonin, edhe në shtendosjen e marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve serbë dhe shqiptarë në Kosovë duke i çliruar ata edhe nga urrejtja ndër etnike. Por zonja Trajkoviç tërheq vërejtjen se në këto biseda nuk do të duhej të rihapej çështja e statusit.

"Unë mendoj se sa herë që të fillohet të bisedohet për statusit do të hasim në kundërshtime dhe do të prishet ai dialog e nuk do të ketë vazhdim të bisedave, sepse të gjithë i kanë qëndrimet e betonuara të tyre dhe nëse bisedohet për statusin, do të bisedonim për asgjë, nuk do të ketë asgjë nga ai takim", tha zonja Trajkoviç.

Ajo është e bindur se qëndrimi kundërshtues i serbëve të Kosovës ndaj pranisë së re civile ndërkombëtare do të zbutet me kohë dhe EULEX-i do të jetë në gjendje të shtrihet në tërë territorin e Kosovës. //mm//

XS
SM
MD
LG