Lidhje

Anketa të reja tregojnë se Sen. Mekein kryeson ndaj rivalit Obama


Dy anketime të reja tregon se kandidati republikan për President, Xhon Mekein, kryeson ndaj rivalit të tij demokrat, Barak Obama.

Anketa e zhvilluar nga gazeta USA Today dhe organizata Gallup, tregon se, midis votuesve të regjistruar, zoti Mekein kryeson ndaj senatorit Obama 50 për qind me 46 për qind.

Sipas një ankete tjetër të përditshme po të organizatës Gallup, senatori Mekein gëzon një mbështetje prej 48 për qind në krahasim me 45 për qind për zotin Obama.

Anketat tregojnë se mbështetja për zotin Mekein u shtua pas Kuvendit të Partisë Republikane, i cili u zhvillua javën e kaluar dhe pas zgjedhjes së Guvernatores së Alaskës, Sara Pejlin, si kandidate për nënpresidente.

Nënpresidenti amerikan Dik Çeni u tha gazetarëve në Romë se nuk ka arsye të zonja Pejlin të mos jetë e sukseshme në postin e nën-presidentit në administratën e zotit Mekein. Zoti Çeni shprehu mendimin se fjalimi i guvernatores së Alaskës në kuvendin e partisë republikane javën e kaluar në Shen Pol të Minesotës ishte i shkëlqyer.

Senatori Mekein, duke bërë fushatë sot në Mizuri me guvernatoren Pejlin, u zotua të luftojë kundër grupeve me interesa të veçanta dhe të reformojë qeverinë. Ai lavdëroi përparësitë e politikës së tij të brëndshme, ndërkohë që kritikoi ato të rivalit të tij, senatorit Barak Obama. Zoti Obama po bën fushatë në Miçigan. //bsa//

XS
SM
MD
LG