Lidhje

BE-ja Shqipërisë: Reforma të pakthyeshme me mirëkuptim


Bashkimi Europian i kërkoi Shqipërisë që të kryejë me dialog dhe mirëkuptim politik reformat e nisura në disa fusha, në mënyrë që ato të bëhen të pakthyeshme dhe të qëndrueshme.

Drejtori politik për zgjerimin në Komisionin Europian, Pjer Mirel, deklaroi të martën pas një takimi me kryeministrin Sali Berisha, se mirëkuptimi politik është themelor për rrugën e Shqipërisë drejt Europës.

“Marrëveshja e stabilizim asociimit ka një ecuri të qëndryueshme për të vazhduar në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe kjo ecuri të ndikojë edhe në tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri" - tha zoti Mirel. "Po ashtu edhe marrëveshja ad interim për tregtinë është në rrugën e duhur. Shqipëria ka nevojë të ndërtojë reforma të qëndrueshme sipas kritereve të sakta politike për të arritur në Bashkimin Europian”.

Sipas tij, vazhdimësia është një nevojë në bashkëpunimin për reformën zgjedhore, në fushën e drejtësisë, luftën kundër kundër korrupsionit, për të cilat tashmë janë marrë një sërë hapash.

“Nënvizova edhe nevojën për të përmirësuar klimën e biznesit", tha zoti Mirel, "duke zgjidhur cështjen e të drejtave pronësore, e cila do të ishte shumë e shëndetshme për të shtuar investimet, por mbi të gjitha mesazhi im kryesor është që mirëkuptimi politik është themelor në këtë process. Dhe BE mirëpresim cdo bashkëupim ndërpartiak këtu në Tiranë dhe vlerësojmë marrëdhëniet mes forcave politike të cilat janë përmirësuar shumë këto vitet e fundit. Vetëm me dialog dhe bashkëpunim Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit mund të arrijnë reforma konsensuale që bëhen të qëndrueshme dhe të pakthyeshme”./al/

XS
SM
MD
LG