Lidhje

Zyrtarët, periudhë vështirësish në marrëdhëniet SHBA-Rusi


Ligjvënësit në komisionet për çështjet e jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin amerikan morën të martën në pyetje zyrtarë të administratës lidhur me të ardhmen e marrëdhënieve me Rusinë, pas konfliktit mes Rusisë dhe Gjeorgjisë. Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë me kujdes mënyrat për të ndihmuar Gjeorgjinë të ri-krijojë forcat e saj ushtarake përmes një pakete ndihmash që i është premtuar Tbilisit:

Ndihmës Sekretari i Shtetit Daniel Frid thotë se është në interes të Shteteve të Bashkuara të ndihmojnë Gjeorgjinë ta marrë veten ekonomikisht, të stabilizohet dhe të rivendosë sovranitetin e saj, si dhe të angazhohet për të zgjidhur ato që zyrtari amerikan i cilëson si "nevoja legjitime ushtarake."

Ndërkohë që Uashingtoni është angazhuar për t'i dhënë Tbilisit një paketë ndihmash ekonomike me vlerë 1 miliard dollarë, zoti Frid thotë se Shtetet e Bashkuara po punojnë nga afër me Naton dhe po dërgojnë një ekip të Pentagonit në Gjeorgji në përpjekje për të indetifikuar sa më mirë format që duhet të marrë ndihma ushtarake:

"Do të bëjmë një vlerësim të kujdesshëm të nevojave të Gjeorgjisë. Do të analizojmë se cila do të jetë përgjigja e duhur ndaj këtyre nevojave dhe më pas do t'i diskutojmë hapat e planifikuar."

Zoti Frid dhe Nënsekretari i Mbrojtjes që mbulon sektorin e politikave, Erik Edelman u shprehën me tone të forta kur folën për sfidat me të cilat përballet marrëdhëniet ruso-amerikane në të ardhmen.

Rusisë nuk duhet t'i lejohet të vendosë një kufi të ri në Evropë, tha zoti Frid, ndërsa Nënsekretari Edelman theksoi se marrëdhëniet e Moskës me Uashingtonin dhe botën janë në udhëkryq dhe shtoi se Rusia duhet vendosë se çfarë imazhi synon të ketë në botë:

"Komuniteti ndërkombëtar ka hedhur poshtë me vendosmëri agresionin rus. Veprimet e Rusisë në të ardhmen, përfshirë ato që ndërmerr gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm në Gjeorgji, do të vazhdojnë të përkufizojnë imazhin e saj në botë dhe qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj saj. Shpresojmë se përmes një analize gjakftohtë, Rusia do të zgjedhë një rrugë tjetër. Bazuar në veprimet ruse, do të formulohen edhe politikat tona ndaj Moskës."

Ligjvënësi demokrat Hauard Berman, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, ngriti pyetje lidhur me formën që do të merrte paketa e ndihmave ushtarake, nëse ajo parashikonte thjesht zëvendësimin e armatimeve të dëmtuara në konfliktin e fundit apo nëse do t'i jepte Gjeorgjisë kapacitetin për t'u angazhuar në operacione ushtarake jashtë vendit, si lufta në Irak. Ligjvënësi donte të dinte nëse kjo ndihmë do t'i jepte mundësi Gjeorgjisë të vetëmbrohej nga sulme në të ardhmen.

Ndërkaq kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Karl Levin, theksoi se zyrtarët amerikanë duhet të idetifikojnë formën që do të marrin marrëdhëniet amerikano-ruse, pas sulmit rus nga Gjeorgjisë:

"Duhet të dimë se çfarë ekilibri të vendosim ndërmjet nevojës për t'ia bërë të qartë Rusisë se pretendimet e saj për sfera influence përmes dhunimit të integritetit territorial të fqinjëve janë të papranueshme, dhe nga ana tjetër objektivit për t'i mbajtur dyert hapur për integrimin e Rusisë në bashkësinë e gjerë ndërkombëtare dhe vazhdimin e bashkëpunimit me Rusinë në fusha të interesit të përbashkët si përpjekjet për të penguar Iranin të zotërojë armë bërthamore dhe luftën kundër terrorizmit."

Ligjvënësja republikane Ileana Ros-Lehtinen thotë se e ardhmja e Gjeorgjisë dhe e të gjithë rajonit varet nga mënyra se si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian reagojnë gjatë muajve të ardhshëm:

"A do të ketë pretendime se disa pjesë të Ukrainës i përkasin Rusisë? A do t'u bëhet presion vendeve baltike, ku jetojnë një numër i madh rusësh. A do të bëhet problem pjesa veriore e Kazakistanit ku jeton një popullatë e madhe e kombësisë ruse? A do të largohen ndonjëherë trupat ruse nga Moldavia, e cila prej vitesh kërkon tërheqjen e tyre?"

Por anëtarët e tjerë të Kongresit vunë në dukje se Gjeorgjia ishte ajo që kishte ndërmarrë veprime në Osetinë Jugore, duke provokuar Rusinë të kundërpërgjigjej. Në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësit Dana Rorabekër dhe Shila Xhekson Li thanë se Shtetet e Bashkuara duhet të ruajnë mundësitë për të punuar me Rusinë, duke theksuar se Moska është një aleate po aq e rëndësishme sa Gjeorgjia dhe në këtë çështje duhet gjetur një ekuilibër.

Ndihmës Sekretari i Shtetit Daniel Frid tha dje para ligjvënësve se Shtetet e Bashkuara nuk po përpiqen të prishin marrëdhëniet me Rusinë, por shtoi se "për sa kohë që udhëheqësit rusë nuk ndryshojnë kursin e politikave të tyre, këto dy vende do të kenë përpara një periudhë të vështirë." //ad//

XS
SM
MD
LG