Lidhje

SHBA: Hapet procesi për protokollet e NATO-s për Shqipërinë, Kroacinë


Komisioni i Senatit amerikan për Marrëdhënie me jashtë hapi të mërkurën procesin për nënshkrimin e protokolleve të NATO-s për Shqipërinë dhe Kroacinë. Senatorët shprehën vlerësimin për përparimin e arritur nga dy vendet, por shprehën mendime të ndryshme për nivelin e plotësimit të standardeve nga ana e Shqipërisë. Një përfaqësues i Departamentit të Shtetit tha se anëtarësimi në aleancë i këtyre vendeve është në interes të Shteteve të Bashkuara dhe të përparimit të këtyre vendeve.

Zyrtari i Lartë i Departamentit të Shtetit, Daniel Frid, në dëshminë e tij para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, shprehu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

“Hyrja e tyre në NATO jo vetëm që do të ndihmojë në stabilizimin e një rajoni të trazuar, por do t’u tregojë edhe vendeve të tjera në rajon se ekziston një alternativë ndaj ndasive nacionaliste dhe dhunës. Zgjerimi i NATO-s me këto vende është plotësisht në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara”.

Por ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë tërhoqi vëmendjen për problemet që ende mbeten të pazgjidhura në Shqipëri.

“Shqipëria ka ende punë për të bërë në fushat e reformës në drejtësi, reformës zgjedhore dhe luftës kundër korrupsionit, por ka ecur përpara në të gjitha këto fusha dhe në drejtim të përparimit demokratik në përgjithësi”.

Senatori republikan Riçard Lugar, bashkëkryetar i Komisionit shprehu mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në aleancë.

“Unë e përkrah fuqimisht vendimin e aleancës për të ftuar Shqipërinë dhe Kroacinë në NATO. Të dyja vendet e kanë shprehur hapur dëshirën e tyre dhe po punojnë me të gjitha forcat që të plotësojnë standardet për anëtarësim. Qeveritë e të dyja vendeve kanë tetë vjet që përgatiten”.

Ai shtoi se marrëdhëniet më të forta me NATO-n do të ndihmojnë në përmirësimin e shtetit ligjor dhe shoqërisë civile në dy vendet. Senatori demokrat Kris Dod, që drejtonte seancën e pranoi se këto vende kanë shënuar përparim, por shtoi se detyra e anëtarëve të Kongresit është që të bëjnë pyetje të vështira para se të merret një angazhim për mbrojtje reciproke.

“A ka pasur zgjedhje demokratike? Cili është niveli i respektit të të drejtave të individëve? A është vendosur me sukses shteti ligjor? A është shprehur angazhimi për reforma ekonomike dhe ekonominë e tregut”

Një nga pyetjet e tij për Shqipërinë kishte të bënte me shpërthimin e Gërdecit dhe problemet që dolën në pah prej tij. Senatori Dod theksoi se mbarëvajtja e hetimit dhe mundësia që do t’i krijohet prokurorisë së përgjithshme për një hetim të hollësishëm dhe transparent, është një provë për gjendjen e sistemit të drejtësisë dhe prokurorisë. Ai shtroi pyetjen se cili është statusi i hetimeve dhe çfarë tregon për aftësinë e qeverisë shqiptare për anëtarësim në NATO. Zoti Frid u përgjigj:

“I kemi kërkuar qeverisë shqiptare, që ta lejojë hetimin të zhvillohet çfarëdo që të dalë prej tij. Shanset janë që përfundimet e tij ta vënë në pozitë të vështirë qeverinë, sepse si me çdo problem ushtarak shtrohet problemi i përgjegjesisë. Çdo vend ka probleme dhe pyetja që shtrohet nuk është nëse ka probleme, por si i zgjidhin ato”.

Përfaqësuesi i Pentagonit, zëvendës ndihmës sekretari i Mbrojtjes Daniel Fata tha se hetimi po ndiqet me vëmendje.

“Ambasada jonë dhe qeveria vazhdojnë ta nxisin Shqipërinë që ky proces të jetë sa më transparent të jetë e mundur, sepse jo vetëm Shtetet e Bashkuara por edhe 25 vendet e tjera të NATO-s do ta ndjekim me vëmendje situatën, për të parë nëse do të plotësohen standardet e transparencës dhe shtetit ligjor".

Anëtari i këtij komisioni dhe bashkëkryetar i Komisionit të Helsinkit, senatori demokrat Benjamin Cardin shprehu mbështetjen e tij për futjen e Shqipërisë në NATO, por shprehu shqetësimin për nivelin e korrupsionit, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes.

“Ekziston shqetësimi nëse Shqipëria do t’i plotësojë standardet e OSBE-së përsa u takon zgjedhjeve të vitit të ardhshëm”.

Zoti Frid siguroi anëtarët e Kongresit se administrata amerikane do të vazhdojë të nxisë Shqipërinë për reforma. Ai theksoi se beson se ky do të jetë synimi i kësaj administrate, por edhe asaj të ardhshme.

Seanca e së mërkurës hapte në Shtetet e Bashkuara procesin e shqyrtimit të protokolleve të anëtarësimit të këtyre vendeve në NATO. Senatori Dodd tha se Komisioni do të mbledhë të dhëna të tjera dhe më pas do të mblidhet senati për të vendosur. Shqipëria shpreson që në prill të vitit të ardhshëm të gjitha vendet e NATO-s të kenë ratifikuar protokollet e anëtarësimit. Zoti Frid nuk pranoi të japë një datë gjithsesi, megjithate shprehu optimizëm të matur për realizimin e këtij afati:

“Përvoja e kaluar lë të kuptohet se mbyllja e procesit në prill të vitit të ardhshëm është e vështirë, por e realizueshme”.



XS
SM
MD
LG