Lidhje

Një ish prokurore komuniste dënohet për rolin e saj në gjyq më 1950


Një ish-prokurore e Çekosllovakisë së periudhës komuniste u dënua me 6 vjet burgim, për rolin e saj në një gjyq të viteve 50, ku u vendos të ekzekutohej një politikane anti-komuniste.

Gjykata e Lartë e Republikës Çeke e mori dje vendimin ndaj Ludmilla Brozova-Polednovas, e akuzuar se kishte dhënë urdhërin për dënim me vdekje. Gjyqi u zhvillua në qytetin perëndimor Plzen, me qëllim që të pandehurës 86-vjeçare, e cila ka probleme shëndetësore, t’i jepej mundësia të merrte pjesë në seancën gjyqësore ndaj saj.

Brozova-Poledovna ka qenë anëtare e një komisioni gjyqësor që dha dënim me vdekje për 10 persona, në kohën kur ligjvënësja dhe veteranja çeke e luftës kundër nazizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore, Mllada Horakova, u gjykua nën akuzat për tradhti dhe spiunazh. Horakova u var në vitin 1950, pas asaj që kritikët e cilësuan një farsë gjyqësore, megjithë protestat e fuqishme nga figura të njohura të botës, mes të cilëve edhe Albert Ajnshtajni.

Ish-prokurorja nuk ka mohuar asnjëherë pjesëmarrjen e saj në ekipin gjyqësor komunist. Ajo i tha agjencisë së lajmeve Associated Press, se detyra e saj si prokurore të atë periudhë ishte t’i bindej urdhërit të eprorëve të saj. (ze)

XS
SM
MD
LG