Lidhje

Një portret i dyshes Obama-Bajden dhe cili është mesazhi i tyre


Me fushatën elektorale që po zhvillohet për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, dyshja e demokratëve ka shpenzuar kohë së fundmi për të qartësuar mesazhin për klasën punëtore. Senatorët Barak Obama dhe Xho Bajden po flasin për ekonominë dhe vendet e punës. Të dyja këto janë tema, për të cilat ata thonë, se kandidati republikan Xhon Mekein nuk ka ofruar asnjë zgjidhje. Ekspertët politikë e shohin këtë si temën kryesore të demokratëve duke shtuar se përvoja e tyre i bënë ata më të kualifikuar për postin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Fry i hedh një vështrim portretit të dy demokratëve dhe mesazhit të tyre ndërsa fillojnë dy muajt e fundit të garës për në Shtëpinë e Bardhë.


Një i papunë në fabrikat e automobilëve prezantoi kandidatin demokrat për president në Miçigan, qendra e kësaj industrie në rënie. Me disa makina hibride amerikane në sfond, senatori Obama tha se papunësia në Miçigan është mbi 12 përqind. Kjo shifër është sa dyfishi i nivelit kombëtar.

"S’ka nevojë t’u thuash njerëzve në Flint apo në Miçigan se ekonomia ka rënë. Por këtë duhet t’ja themi Xhon Mekeinit", tha senatori Obama.

Partia republikane doli e rigjallëruar nga kuvendi në Seint Pol të Minesotës me senatorin Mekein dhe kandidaten për nënpresidente, guvernatoren e Alaskës, Sarah Pejlin. Ata madje dolën edhe kundër partisë së tyre për të ndryshuar mënyrën sesi punon Uashingtoni.

Të nesërmen, kandidati demokrat për nënpresident Xho Bajden përçoi në Filadelfia mesazhin e partisë së tij për ndryshim për amerikanët e thjeshtë.

"Heshtja e partisë republikane ishte shurdhuese. Ishte shurdhuese për vendet e punës, kujdesin shëndetësor, ambjentin dhe të gjitha çështjet që shqetësojnë njerëzit në lagjet ku unë u rrita", tha zoti Bajden.

Eksperti i strategjisë së fushatave, Xhon Sajds, profesor në Universitetin Xhorxh Uashington, e sheh qartë temën kryesore të demokratëve qysh në këtë fazë të partë të fushatës.

"Mendoj se po shohim plotësisht të qartë strategjinë e demokratëve për në zgjedhjet e përgjithshme. Çështja numër një në mëndjen e njerëzve është ekonomia".

Përqasja e të dy demokratëve në fushatë vjen nga biografi të ndryshme. Senatori Obama – djalë i një nëne nga Kansasi dhe një babai nga Afrika është diplomuar në Harvard për Drejtësi. Ai braktisi pagën e lartë për të punuar me komunitetet me të ardhura të pakta në Çikago.

Megjithëse ka tre dekada në Senat, zoti Bajden ende e vë theksin tek rrënjët e tij në klasën punëtore. Muajin e kaluar, zoti Bajden e vuri këtë aspekt në dukje duke takuar miqtë e tij në trenin që merrte çdo ditë nga Uashingtoni për në shtëpinë e tij në shtetin Delëuer.

"Prejardhja e tij nga klasa punëtore, djali i një familje të tillë, i jep atij diçka ndryshe nga biografia e veçantë e zotit Obama".

Zoti Bajden ka shërbyer si kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe ka mjaft përvojë në politikën e jashtme.

Eksperti Stephen Hess thotë përvoja e zotit Bajden krijon balancën e duhur.

"Ai di shumë rreth botës, ndoshta më shumë nga çdo senator tjetër amerikan. Kjo ishte një fushë ku Barak Obama u sulmua më tepër. Kështu që Bajden e forcon pozitën e demokratëve".

Megjithatë zoti Bajden do të përballet me atë që disa e shohin si një detyrë delikate në debatin që do të ketë me politikanen e re Sara Pejlin, përvoja e të cilës nuk është aq e madhe.

"Ajo do të gjykohet – mendoj, në të njëjtën mënyrë si unë. Çfarë di ajo? Çfarë mendon? Cilat janë arritjet e saj", thotë zoti Bajden.

Këtë javë, ndërsa zoti Obama vizitoi një grup të klasës punëtore në Pensilvani dhe zoti Bajden foli në Florida me një grup votuesish hebrenj dhe pensionistësh, -- demokratët u radhitën të dytët në anketat e opinionit që u zhvilluan pas kuvendeve të dy partive.

Të martën, zoti Obama u përgjigj për rezultatet e anketimeve.

"Do të na duhet të shohim si do të shkojnë gjërat gjatë javëve të ardhshme kur njerëzit të fillojnë e të analizojnë se kush do të zgjidhë problemet që i shqetësojnë ata".

Zoti Obama tha se mirëpret debatin. Ai vlerëson se së bashku me Xho Bajdenin janë më të kualifikuar sesa republikanët për të sjellë ndryshim.

//rd//


XS
SM
MD
LG