Lidhje

Anketat, mbështetje thuajse e njëjtë për Mekejn dhe Obamën


Epërsia që kishte kandidati demokrat për president, Senatori Barak Obama, në garën për Shtëpinë e Bardhë është zhdukur. Anketimet e fundit tregojnë se kandidati republikan, Senatori Xhon Mekein, gëzon mbështetje të barabartë me zotin Obama, madje në disa raste është para tij. Ky ndryshim ka ndodhur që prej zgjedhjes së guvernatores së Alaskës, Sara Pejlin, si kandidate për nënpresidente.

Kandidati republikan për president, Senatori Xhon Mekein, ka eliminuar tani distancën ndaj rivalit të tij demokrat, Senatorit Barak Obama në anketat e opinionit publik.

Anketimet e zhvilluara nga media të ndryshme të vendit tregojnë se zoti Mekein gëzon mbështetje të njëjtë ose pak më të madhe ndaj rivalit të tij Obama. Një anketim tregon se një prej arsyeve kryesore është se 20 për qind e grave të bardha mbështesin tani zotin Mekein. Ky ndryshim përkon gjithashtu me zgjedhjen e guvernatores së Alaskës, Sara Pejlin si kandidate për nënpresidente.

Sipas analistit David Paul Kjun, zgjedhja e zonjës Pejlin ka ndryshuar dinamikën e garës për në Shtëpinë e Bardhë.

"Fushata e Partisë Republikane ka marrë energji, diçka që nuk është parë gjatë gjithë fushatës presidenciale të vitit 2008". - thotë ai

Xhon Mekein po e mbështet fushatën e tij në synimin për të reformuar Uashingtonin, duke e pozicionuar zonjën Sara Pejlin si një bashkëluftëtare në luftën për ndryshim.

"Mua më kanë quajtur të pabindur. Tani ne kemi një ekip të pabindurish". - tha z.Mekein

Fushata e zotit Obama është përgjigjur në mënyrë përçmuese si në takimet me zgjedhësit edhe në reklamat televizive.

"Ai nuk mund të quhet i pabindur kur ka votuar 90 për qind me Presidentin Bush. Edhe Sara Pejlin nuk është e pabindur sepse kur bëhej fjalë për një projekt kontradiktor infrastrukture në Alaska ajo e mbështeti atë dhe pastaj votoi kundër. Politikanët që gënjejnë rreth përvojës së tyre nuk mund të quhen të pabindur. Përvoja e tyre duhet cilësuar ashtu siç është: vazhdim i politikave të njëjta pa rezultat". - tha z.Obama

Duke shfrytëzuar një ndjenjë të përgjithshme të publikut, dy kandidatët republikanë Mekein-Pejlin, i kanë dhënë përparësi shkurtimit të shpenzimeve nga kongresi nëse fitojnë në zgjedhjet e nëntorit.

"Do t'i vë veton çdo projekt-ligji me shpenzime të tepëruara me qëllime të veçanta". - tha z.Mekein

"Ne reformuam shpenzimet abuzuese në shtetin tonë të Alaskës"- shtoi zonja Pejlin

Senatori Mekein dhe guvernatorja Pejlin e kanë akuzuar rivalin e tyre Barak Obama se ka kërkuar gati një miliardë dollarë për shpenzime pa kriter ndërkohë që ishte në senat. Kur zonja Pejlin ishte kryebashkiake e qytetit të Uasillas në Alaska, media njofton se ajo i kërkoi Uashingtonit 27 milion dollarë për qytetin e saj me vetëm 6 mijë e 700 banorë.

Në këtë vit zgjedhjesh, disa shprehje të përdorura nga kadidatët janë bërë papritur mollë sherri e fushatës mes demokratëve dhe republikanëve. Në fillim të javës, zoti Obama kritikoi çiftin Mekein-Pejlin, duke thënë se sado të kuq buzësh t'i vësh derrit, ai mbetet derr.

Të nesërmen, fushata e senatorit Mekein filloi transmetimin e një reklame televizive, me komentet e dy kandidatëve rreth të kuqit të buzëve.

Disa republikanë kërkojnë që zoti Obama t'i kërkojë falje zonjës Pejlin për këtë koment, por senatori e bëri menjëherë të qartë se kjo nuk është gjë tjetër veçse përpjekje për të larguar vemendjen e votuesve nga temat e rëndësishme.

"Durimi arriti kulmin. Nuk dua të di se çfarë thotë pala tjetër për mua. Unë e dua shumë këtë vend dhe nuk do të lejoj që republikanët të fitojnë 4 vjet të tjera me gënjeshtra dhe sulme të pabaza. Jam ngopur me taktika të tilla". - tha z.Obama

Kanë mbetur rreth 7 javë nga zgjedhjet e 4 nëntorit. Ndërsa Senatorët Mekein dhe Obama kanë përqindje të barabarta në anketat e opinionit, njoftohet se shpenzimet për reklama televizive dhe ato në Internet, përfshirë edhe sulmet, janë më shumë se dyfishi po të krahasohen me fushatën presidenciale para 4 vjetësh.//mm//


XS
SM
MD
LG