Lidhje

Pasojat e Uraganit Ajk që goditi Teksasin


Ekipe shpëtimi me helikopterë, anije dhe kamionë janë dërguar në bregun jugor të Teksasit për t’u ardhur në ndihmë banorëve që kanë mbetur të bllokuar nga përmbytjet e shkaktuara nga Uragani Ajk. Presidenti Bush tha sot se përpjekjet e kërkim-shpëtimit mbeten një përparësi kryesore për rajonin. Guvernatori i Teksasit Rik Perri se deri tani janë realizuar rreth 1 mijë operacione shpëtimi. Autoritetet kanë shprehur shqetësim për fatin e mijëra vetëve që mund të jenë të bllokuar në shtëpitë e tyre në pritje që të shpëtohen. Stuhia goditi Teksasin duke përmbytur shtëpi dhe biznese dhe duke rrëzuar shtylla të tensionit të lartë. Uragani Ajk ka kaluar tashmë mbi qytetin Hjuston dhe po dobësohet ndërkohë që lëviz më në brendësi të tokës mbi Teksasin lindor. Stuhia shoqërohet me shira të rrëmbyer dhe erëra të forta, prandaj zyrtarët thonë se do të marrë ca kohë para se të përcaktohet dëmi i shkaktuar.

Uragani Ajk shkaktoi përmbytje të mëdhaja përgjatë bregdetit juglindor të Teksasit dhe në disa zona të Luizianës, megjithatë, dallgët prej gjashtë metrash që kishin parashikuar meteorologët për Galvestonin nuk u panë asnjëherë. Pamjet ajrore të Galvestonit tregojnë dëme të rënda në zonat e banimit në bregdet. Vëzhgimi fillestare i komuniteteve tregonte përmbytje në shkallë të gjerë dhe dëme nga era të shumë shtëpive dhe anijeve, automjeteve dhe objekteve të tjera.

Drejtori i Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave, Dejvid Polison, i paralajmëroi njerëzit të qëndrojnë brenda në shtëpi dhe të mos pengojnë punën. Ai tha se gjëja kryesore është të ndihmohen njerëzit që kanë më shumë nevojë.

“Përparësia jonë kryesore tani është të shpëtojmë jetët e njerëzve dhe ne po punojmë shumë për përpjekjet e kërkim shpëtimit, dhe po bëhen shumë gjëra nga të gjitha agjencitë e ndryshme.”

Afro 4 milionë vetë kanë mbetur pa energji elektrike si rezultat i stuhisë. Zyrtarët shtetërorë dhe federalë po hyjnë në zonat e prekura për të ndihmuar banorët që ishin strehuar në shtëpitë e tyre gjatë kalimit të uraganit dhe që tani kanë mbetur pa energji dhe shërbime të tjera të nevojshme. Sekretari i Sigurisë Kombëtare Majkëll Çertof thotë se presidenti Bush kishte shpallur shumë rajone të Teksasit si zona të prekura nga tragjedia natyrore.

“Presidenti shpalli 29 komuna të Teksasit si zona të prekura nga tragjedia natyrore. Kjo i hap rrugën fondeve federale për individët dhe komunitetet lokale dhe përpjekjet e tyre të rindërtimit si dhe për heqjen e mbetjeve nga shkatërrimet e shkaktuara, gjë që kërkon një punë të madhe si në Teksas ashtu edhe në Luiziana ndërkohë që përpiqemi të vazhdojmë punën në ditët e ardhshme.”

Zyrtarët në Teksas thonë se 2,2 milion banorë janë evakuuar. Në Luiziana, sipas njoftimeve zyrtare 130 mijë banorë janë larguar nga komunitetet bregdetare.

“Kjo është ndoshta një nga shtëpitë më të dëmtuara.”

Zyrtarët federalë thonë se është ende shumë herët të vlerësohet dëmi në banesa, infrastrukturë dhe industrinë lokale. //bsa//

XS
SM
MD
LG