Lidhje

Roli i Bashkimit Evropian në krizën Rusi-Gjeorgji


Ndërkohë që mosmarrëveshjet midis Perëndimit dhe Rusisë mbi krizën në Gjeorgji shtohen, Bashkimi Evropian e gjen veten në pozicionin e ndërmjetësit kryesor për arritjen e paqes. Disa ekspertë thonë se ish-republikat sovjetike, sidomos Gjeorgjia dhe Ukraina, kanë rëndësi të madhe për të ardhmen e BE-së.

Kriza në Gjeorgji është bërë problem parësor i Bashkimit Evropian këto javët e fundit. Në gusht, Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, i cili ka tani presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, u angazhua në ecejake diplomatike sa në Moskë e në Tbilis për të hartuar një marrëveshje paqeje prej 6 pikash që t’i jepej fund konfliktit mbi rajonin separatist të Osetisë Jugore në Gjeorgji.

Në fillim të këtij muaji, pikërisht më 8 shtator, zoti Sarkozi shkoi përsëri në të dy kryeqytetet për të siguruar angazhimin e Rusisë për t’iu përmbajtur marrëveshjes.

Pothuajse në të njëjtën kohë, më 9 shtator, udhëheqësit e Bashkimit Evropian u takuan në Paris me presidentin e një tjetër republike të rëndësishme ish-sovjetike, Ukrainës. Bisedimet përfunduan me një ofertë të BE-së për një marrëveshje për partneritet special me Kievin. Por, blloku me 27 anëtarë nuk i ofroi Ukrainës anëtarësim në BE.

“Marrëveshja e partneritetit me Ukrainën është përparimi maksimal që mund të lejonte për momentin Bashkimi Evropian për Ukrainën”, tha presidenti Sarkozi.

Si Gjeorgjia ashtu dhe Ukraina kanë dëshirë të hyjnë në BE dhe NATO. Por Moska i konsideron të dy vendet brenda zonës së saj të influencës dhe Evropa është e përçarë kur bëhet fjalë për formën e marrëdhënieve të saj me Tbilisin dhe Kievin.

Gjatë takimit të NATO-s në muajin prill, Gjeorgjisë dhe Ukrainës iu mohua mundësia për një proces të përshpejtuar anëtarësimi në aleancën transatantike, megjithatë ato morën premtimin për anëtarësim në këtë organizatë, por pa u saktësuar ndonjë datë. Këto vende nuk kanë garanci të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.

Por, Andru Uillson, një ekspert për Rusinë dhe Evropën Lindore në Këshillin e Evropës për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se Bashkimi Evropian është duke punuar për t’i afruar më tepër të dy vendet në gjirin e tij.

“Disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian dhe disa shtete anëtare të NATO-s arritën në përfundimin se në prill bënë gabim, se duhet t’u kishin ofruar të dy vendeve një plan veprimi për anëtarësim dhe se duke mos bërë një gjë të tillë i kishin dërguar Rusisë një sinjal të gabuar. Disa arritën në një përfundim krejtësisht të kundërt. Por mbi të gjitha, mendoj se ekuilbri i forcave, ekuilibri i opinionit brenda BE-së dhe NATO-s ka ndryshuar në favor të një trajtimi më pozitiv për të dy vendet.”

Ekspertët thonë se BE-ja është duke shqyrtuar me kujdes probleme që kanë të bëjnë me Rusinë, nga e cila BE-ja merr ¼ e sasisë së gazit natyror që ajo përdor. Në një takim të nivelit të lartë të BE-së mbi krizën në Gjeorgjin në fillim të këtij muaji, udhëheqësit evropianë u treguan të përmbajtur, duke mos marrë masa të ashpra, si për shembull sanksione ndaj Moskës për mos tërheqjen e plotë nga territori gjeorgjian.

Për momentin, Evropa ka kufizuar presionin mbi Moskën, thotë Amanda Aksakosa, një analiste politike në Qendrën e Politikave Evropiane në Bruksel.

“Ndoshta është e vërtetë që të paktën për periudhën afat shkurtër deri në atë afat mesme, BE-ja nuk do të ketë shumë influencë mbi Rusinë. Rusia në të vërtetë ka më shumë letra në dorë dhe për këtë arsye BE-ja i është përgjigjur Rusisë mjaft butë. Edhe në qoftë se arrihet marrëveshje për përgjigjen e Bashkimit, do të ketë përçarje të tjera, kryesisht sepse një numër shtetesh anëtare janë të varura nga burimet energjitke ruse.”

Mosmarrveshjet midis Rusisë dhe Perëndimit kanë krijuar shqetësime për fillimin e një Lufte të re të Ftohtë. Por analistja Amanda Aksakosa nuk i quan të rëndësishme këto shqetësime.

“Mendoj se e vetmja ngjashmëri është se gjatë Luftës së Ftohtë, Evropa vërtetë luajti një rol të shkëlqyer në mbajtjen hapur të mënyrave të komunikimit me Rusinë dhe pikërisht këtë po bën Evropa tani, ndërsa vende të tjera, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, nuk kanë ndjekur të njëjtën rrugë.”

Ende, shumë analistë thonë se Evropa duhet të vendosë sa shumë duhet të angazhohet me Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Ndëkohë që debaton për zgjerimin me anëtarë të rinj për të përfshirë Turqinë, BE-ja gjithashtu duhet të vendosë sa thellë synon të zgjerohet në drejtim të Evropës Lindore.

Disa ekspertë paralajmërojnë se zgjerimi i BE-së në drejtim të lindjes rrezikon një konflikt me Rusinë. Por Andru Uillson, i Këshillit të Evropës për Marrëdhënie me Jashtë mendon për një kombinim të asaj që ai e quan “shkëputje strategjike” me Rusinë dhe afrim me ish-republika Sovjetike.

“Synimi i parë është që Rusia të mos lejohet të përzihet dhe të vendosen, përshembull, rregulla më të forta financiare mbi Rusinë në tregjet perëndimore. Por gjithashtu, më e rëndësishmja, angazhimi shumë më tepër pozitiv në vendet që ndodhen pranë kufijve të Bashkimit.”

Mundësitë e Evropës në këtë moment mund të jenë të kufizuara, thotë zoti Uillson, por në një periudhë afatgjatë, ajo është shumë më e fuqishme nga ç’mendohet, veçanërisht kur ajo të fillojë të gjejë burime energjetike në mënyra të tjera. //kk//

XS
SM
MD
LG