Lidhje

Gjenerali Petreas largohet nga Iraku, do të jetë shef i Komandës Qendrore


Gjenerali Rejmond Odierno është kryekomandanti i forcave amerikane në Irak, duke zëvëndësuar kështu gjeneralin, të cilit i njihet merita për uljen e dhunës në atë vend dhe për suksesin e operacioneve pas shtimit të trupave amerikane në janar të vitit 2007.

Gjenerali Odierno zëvëndësoi Gjeneralin Dejvit Petreas në një ceremoni, që u zhvillua sot në Bagdat, e cila u kryesua nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts. Gjenerali Petreas do të jetë tani në krye të komandës qëndrore amerikane, e cila përfshin Afganistanin dhe Irakun.

Sekretari Gejts e vlerësoi gjeneralin si personin që kryesoi "ndryshimin e drejtimit" në Irak. Ai tha se detyra e gjeneralit Odierno do të jetë shtrirja e përmirësimeve të arritura deri tani në fushën e sigurisë, ndërkohë që ulet numri i trupave amerikane në atë vend.

Gjatë një periudhe prej një viti e gjysëm, gjeneralit Petreas iu njoh merita e zbutjes së ndjeshme të dhunës, që po e fuste Irakun në luftë civile.

Në shkurt të vitit të kaluar, kur Gjeneral Petreas arriti në Irak, numri i ushtarëve të vrarë amerikanë atë muaj ishte 81. Ky numër u rrit në 126 në muajin maj, ndërkohë që trupat u shtuan dhe gjenerali u dha urdhër atyre të shpërndaheshin në fshatrat dhe lagjet irakiane për t’u përballur me gjithfarë grupesh rebele. Tani, numri i viktimave mes ushtarëve amerikanë arrin në rreth 20 në muaj. Paralelisht është ulur numri i viktimave irakiane ndërsa përgjithësisht dhuna ka rënë në masën 85 përqind. Gjatë rrugës për në Irak, për të marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts e vlerësoi me superlativa rolin e gjeneralit në atë që ai e quajti “kthesë” në Irak.

“Mendoj se ai ka luajtur një rol historik dhe këtë e them pa mëdyshje. Ne humbëm shumë jetë njerëzish por ka qenë një përpjekje e jashtëzakonshme për të shdërruar një strategji të madhe në një sukses të madh dhe në kushte shumë të vështira. Gjeneral Petreas është pa dyshim heroi i ditës por mendoj se të gjithë ne do të thoshim se ka patur një numër shumë të madh heronjsh që kanë punuar për të, të cilët e bënë këtë realitet”.

Analistë të të gjithë spektrit politik i njohin gjithashtu meritën Gjeneralit Petreas për rolin e tij në kthesën që bëri gjendja në Irak.

“Ai mori në dorë një luftë, të cilën ne po e humbisnim dhe i ndryshoi asaj drejtim. Po të shkruaja një libër mbi shërbimin e Gjeneralit Petreas në 18 muajt e fundit, unë do ta quaja atë “një kthesë”.

Kështu shprehet nënkoloneli në pension Xhon Nagl, i cili ka qenë në Irak në fillimet e luftës ndërsa tani punon si analist në Qendrën për Një Siguri të re Amerikane në Uashington.

“Roli i tij, vizioni i tij, motivimi dhe njohuritë për luftën antiguerrile e bënë të vinte në zbatim një strategji të re. Ai e kuptoi se kyçi i suksesit në çdo luftë antiguerrile është mbrojtja e popullatës. Kjo është e para”.

Ishin dy shërbimet e para në Irak të gjeneralit Petreas që e bënë të mendonte se kërkohej një strategji e re. Në vitin 2006, kur drejtonte qendrën kryesore analitike të këmbësorisë, ai dha urdhër për hartimin e një doktrine të re për luftën antiguerrile. Në fillim të vitit 2007, kur dhuna në Irak po dilte nga kontrolli, Presidenti Bush i kërkoi Gjeneralit Petreas që ta vinte në zbatim doktrinën e tij. Një ekspert tjetër, i cili është bërë simpatizant i Gjeneralit Petreas është Majkëll O'Henlon i Institutit Brookings, i cili dikur e shihte me skepticizëm strategjinë e re dhe shtimin e përkohshëm të trupave që e shoqëroi atë.

“Duhet thënë që në fillim se kjo ka qenë diçka që do të mbahet mend. Është kthesa më e madhe në historinë ushtarake të Amerikës, ndoshta që nga Lufta Civile e shekullit të 19”.

Andrju Baceviç i Universitetit të Bostonit po ashtu i njeh Gjeneralit Petreas meritën se ndihmoi për të shmangur disfatën në Irak. Por ai thotë se nuk është e qartë se sa meritë personale duhet t’i njihet gjeneralit për këtë.

“Mendoj se është një çështje për të cilën historianët do të debatojnë. Vetë shtimi i përkohshëm i trupave nuk ishte ndoshta faktori vendimtar. Më shumë rëndësi pati ndryshimi i taktikës, apo doktrina që vuri në zbatim Gjenerali Petreas”.

Zoti Baceviç mendon se gjenerali Petreas ishte i aftë por edhe me fat pas armëpushimit të shpallur nga milicia kryesore shiite dhe ndryshimit mes udhëheqësve fisnorë suni, të cilët nga mbështetja për kryengritësit e al-Kaidës kaluan në mbështetje të qeverisë. Gjenerali Petreas po largohet nga Iraku por ai e di mirë se nuk do të kalojë shumë e do të kthehet përsëri atje. Detyra e tij e re është shef i Komandës Qendrore për të gjitha operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Qendrore, duke përfshirë Irakun dhe Afganistanin. Pyetja që shtrojnë tani analistë si Majkëll O'Henlon është në se gjenerali do të mund ta përsëritë suksesin e tij edhe në Afganistan, ku dhuna ka qenë në rritje.

“Sa mirë sikur kjo të ishte aq e lehtë. Ne nuk do të kemi në Afganistan apo kapacitete që kemi në Irak”.

Të tjerë mendojnë se doktrina e gjeneralit Petreas dhe suksesi i tij në Irak përmbajnë elementë që mund të zbatohen në Afganistan. Sikur lufta në Irak të mos ishte një sfidë e mjaftueshme dhe komplekse, Gjeneralit Petreas do t’i duhet tani të balancojë nevojat e vazhdueshme të Irakut me përgjegjësitë e reja në Afganistan, me shqetësimet për bazat terrorste në Pakistan dhe politikat që do të ndjekë Presidenti i ri që do të vijë së shpejti në Shtëpinë e Bardhë. (ze)

XS
SM
MD
LG