Lidhje

Studimet shkencore hedhin hije mbi sigurinë e produkteve plastike


Bisfenol A është një kimikat që përdoret për prodhimin e shisheve plastike dhe produkte të tjera plastike që i përdorim përditë. Deri tani, i vetmi tregues se bisfenoli A apo BPA-ja mund të jetë i dëmshëm doli nga studime që kanë përdorur në analizat e tyre kafshë në laboratorë. Tani, një studim që përfshin njerëzit tregon se ekspozimi ndaj kimikatit mund të shtojë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe problemeve me mëlçinë.

Bisfenoli A ndodhet kudo. Ai është përbërësi në shumë produkte plastike që përdorim.... shishet e ujit, kolat e deri tek shishet e qumështit të foshnjeve.

Sasi të ndryshme të kimikatit janë gjetur në 93 përqind të amerikanëve të testuar. Megjithëse Këshilli Amerikan i Kimisë thotë se BPA nuk është dëmtues për shëndetin, një studim i ri flet ndryshe.

David Meltzer drejtoi studimin. "25 përqind e popullsisë së marrë në studim, me nivel të lartë të BPA-së, ishte dy herë më e prirur për të patur diabet apo sëmundje të zemrës".

Meltzer dhe kolegët në Shkollën Mjekësore Peninsula të Britanisë analizuan të dhënat e Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, e cila ka analizuar më shumë se 1 mijë e 400 të rritur. Studiuesit zbuluan se sa më i lartë të ishte niveli i BPA-së në urinë, aq më i lartë edhe rreziku për të patur sëmundje të caktuara.

Profesore Tamara Galloway: "Treguesit dhe përfundimet që po shohim tregojnë për një ekspozim afatgjatë ndaj një niveli shumë të ulët të kimikatit".

Galloway thotë se studiuesit nuk e kuptonin arsyen se përse BPA-ja shton rrezikun e këtyre sëmundjeve. "Ata mendojnë se bisfenoli A vepron si një hormon që prish veprimin e hormoneve të tjera, si estrogjeni dhe që mund të ketë disa efekte në rezistencën e insulinës dhe në mënyrën e përhapjes së yndyrnave në trup".

Ekspertët theksojnë se ky është vetëm një studim. Ndërsa zbulimet tregojnë se BPA-ja mund të jetë toksike edhe në nivele të ulta, studiuesit thonë se ka nevojë për kërkime të tjera për ta konfirmuar këtë.

Ky studim u botua në Gazetën e Shoqatës Mjekësore Amerikane. Publikimi i tij përkoi me një seancë dëgjimore të mbajtur nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve për të dëgjuar komentet e publikut lidhur me kimikatin.

Një shkencëtare e njohur në këtë agjenci tha në seancë se kimikati nuk është i dëmshëm. Por ajo shtoi se rezultatet e studimeve me kafshët nuk mund të hidhen poshtë dhe se ka nevojë për më shumë kërkime. Një komision i jashtëm është caktuar nga agjencia për të studiuar problemin. //rd//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG