Lidhje

Rajs: Politikat që po ndjek Rusia aktualisht po e çojnë atë në rrugën e vetëizolimit


Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs tha haptazi gjatë një fjalimi dje se politikat aktuale ruse përfshirë këtu edhe pushtimin e Gjeorgjisë po e çojnë Rusinë në rrugën e vetëizolimit dhe humbjes së rëndësisë politike. Ajo tha se Moska nuk do t'ia dalë me qëllimet e veta për të rrëzuar qeverinë pro-perëndimore në Tbilisi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dejvid Gollast na informon nga Departamenti i Shtetit.

Fjalimi i Sekretares Rajs gjatë një takimi të organizuar nga Fondi Marshall Gjerman solli disa nga komentet më të forta që ajo ka bërë deri tani në lidhje me ndërhyrjen ruse në Gjeorgji dhe ngjarje të tjera të fundit.

Por në të njëjtën kohë ajo theksoi se tensionet ruso-amerikane nuk kanë shkuar në nivelet e Luftës së Ftohtë dhe shtoi se të dyja fuqitë kanë interesa të përbashkëta për paqen në Lindjen e Mesme dhe të parandalojnë Iranin që ky i fundit të zotërojë armë bërthamore.

Zonja Rajs pranoi se si Gjeorgjia ashtu edhe Rusia bënë gabime gjatë krizës së muajit të kaluar por ajo tha se ndërhyrja ruse, e nxitur nga një ndërhyrje ushtarake gjeorgjiane në zonën e pretenduar nga të dyja palët të Osetisë së Jugut, mori përmasat e një pushtimi të vërtetë dhe ishte planifikuar prej kohësh.

Çfarë është akoma më shqetësuese, tha ajo, kjo ngjarje bën pjesë në një model rus të kohëve të fundit gjithnjë e më autoritar brenda vendit dhe agresiv jashtë kufijve të tij.

"Ndër të tjera unë po flas për kërcënimin rus ndaj fqinjëve të vet sovranë, përdorimin e naftës dhe gazit si armë politike, tërheqjen e njëanshme nga Traktati mbi Forcat Konvencionale në Europë, kërcënimet ruse me armë bërthamore kundrejt vendeve që duan paqe, shitja nga pala ruse e armëve grupeve që kërcënojnë sigurinë ndërkombëtare dhe, çfarë është akoma më e rëndë, përndjekja e gazetarëve, disidentëve dhe të tjerëve nga qeveria ruse".

Sekretarja Rajs tha se pushtimi rus nuk ka arritur e as do të arrijë ndonjë objektiv të qëndrueshëm përfshirë këtu edhe qëllimin kryesor rus për të rrëzuar qeverinë pro-perëndimore të presidentit Mikail Sakashvili në Gjeorgji.

Ajo tha se qëllimi i Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të vet është që t'u bëjë të qartë udhëheqësve rusë se zgjedhjet e tyre po e vënë vendin në një rrugë njëkahëshe drejt vetëizolimit dhe humbjes së rëndësisë në rang botëror.

"Pozita ndërkombëtare e Rusisë është më e keqja që prej vitit 1991. Dhe kostoja e këtij izolimi të shkaktuar nga vetë Rusia ka qënë e madhe. Bashkëpunimi në fushën bërthamnore civile i Rusisë me Shtetet e Bashkuara ka ngecur. Udhëheqësit e Rusisë po e vështirësojnë gjendjen ekonomike në vend. Synimi i Moskës për të hyrë në Organizatën Botërore të Tregtisë është rrezikuar. Po kështu janë vënë në rrezik edhe përpjekjet ruse për t'iu bashkuar Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik".

Por zonja Rajs e mbylli fjalimin e saj duke theksuar se administrata e presidentit Bush është e vendosur që të vazhdojë të bisedojë me Rusinë në lidhje me çështjet për të cilat ka shqetësim të përbashkët siç janë lufta kundër terrorizmit, çarmatimi bërthamor i Gadishullit Korean dhe ndalimi i pushtetarëve në Iran që të zotërojnë armët më vdekjeprurëse në botë.

Një zëdhënës tha se sekretarja Rajs kishte telefonuar ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov para se të mbante këtë fjalim. Kjo ishte biseda e tyre e dytë telefonike që prej kulmit të krizës në Gjeorgji.

Zonja Rajs dhe zoti Lavrov do të takohen javën e ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së gjatë takimeve shumpalëshe në lidhje me proçesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe çështjen e armëve bërthamore në Iran. //iç//

XS
SM
MD
LG